Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, i ka reaguar krytarit të Prishtinës përmes një shprehjeje gjermane “fremdschämen”, që në përkthimin e Muratit nënkupton “ai momenti kur ty të vie turp për të bëmat e tjetrit”.
Kjo pasi Murati thotë se Rama “ka gënjyer” për lokacionin e projektit të Ngrohjes Solare, duke thënë se për këtë ka njoftuar më parë ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu.
Murati thotë se kjo është “gënjeshtra e dytë” e Ramës pas përpjekje për të marrë merita për lojërat mesdhetare.
”Gjermanët e kanë një shprehje “fremdschämen”, që përafërsisht i bie “ai momenti kur ty të vie turp për të bëmat e tjetrit”. Kjo shprehje mu kujtua kur pashë atë që paska shkruar Përparim Rama sot, i cili paska plasuar edhe një gënjeshtër, pas asaj për Lojërat Mesdhetare, në tentativën e tij për të marrë merita për punët e të tjerëve”.
”Gënjeshtra më e fundit ka të bëjë me gjoja “sigurimin e lokacionit” nga ana e tij për projektin e Ngrohjes Solare. Përparim, lokacioni është siguruar qysh në mars të vitit 2022. Shih postimin e Ministrit Aliu asokohe. Si Ministri e Financave e kemi siguruar madje edhe financimin për këtë projekt”, ka thënë Murati.
”Marrëveshjet për financim i kam nënshkruar qysh në dhjetor të vitit 2022, ku pjesa më e madhe, mbi 54 milionë euro, janë grante që kemi siguruar nga Qeveria e Gjermanisë dhe nga BE. Në vend se të marrësh merita për punët që nuk janë tuat, bën mirë t’u tregosh qytetarëve të Prishtinës se pse pikërisht ky projekt me vlerë mbi 80 milionë euro është bllokuar qe gati një vit në Kuvend, për shkakun se LDK nuk e voton ratifikimin e marrëveshjes me BERZH”, ka përfunduar ai.
Postimi i plotë: