Çeku: Tek manastiri i Banjskës gjendej edhe një vendbanim antik romak

Çeku: Tek manastiri i Banjskës gjendej edhe një vendbanim antik romak

Qeveria e Kosovës ka ndarë 50 mijë euro për mbështetje të familjes së rreshterit të rënë në detyrë, Afrim Bunjaku. Në mbledhjen e sotme të kabinetit qeveritar, u tha se në sulmin e së dielës, ku nga grupet terroriste u vra Bunjaku, qëllimi i tyre ishte edhe dëmtimi i marrëdhënieve ndërfetare dhe ndëretnike në Kosovë.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati tha se do të jenë gjithmonë pranë familjes, e cila dha një hero.

“Në mbështetje të familjes të heroit Afrim Bunjaku të rënë në detyrë, propozoj që të aprovohet ndarja e mjeteve buxhetore në shumën prej 50 mijë euro, e cila ndahet nga shpenzimet e paparashikuara”, njoftoi Murati.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku tha se sulmi terrorist i sponsorizuar nga shteti i Serbisë, përveç që i mori jetën një polici kishte edhe një dimension të rrezikshëm dhe të dëmshëm të përdorimit të një aseti të trashëgimisë kulturore.

“Manastiri ortodoks në fshatin Banjskë të Zveçanit, monument i trashëgimisë kulturore i mbrojtur me ligjet e Kosovës, u përdor si strehë nga grupi terrorist, përfshirë armatimin e tyre. Për dijeninë e të gjithëve, Manastiri i Banjskës u ndërtua në pjesën e parë të shekullit 14 mbi rrënojat e një kishe të vjetër të hershme, paleokristiane. Ndërsa supozohet që në atë lokacion gjendej edhe një vendbanim antik romak, pasi që aty janë gjetur mbishkrime epigrafike, të periudhës romake. Nga ajo çfarë kemi parë, terroristët kanë shkaktuar dëme jo të vogla në strukturën fizike të këtij manastiri. Besoj thellë që qëllimi i pjesëtarëve të këtij grupi, por edhe i urdhërdhënësve të tyre, ka qenë që përveç dëmit fizik në manastir, të dëmtohen edhe marrëdhëniet ndërfetare dhe ndëretnike në Kosovë”, deklaroi ai.

Tutje, Çeku u shpreh se qeveria deri më tani ka dhënë dëshmi të panumërta për të mbrojtur trashëgiminë kulturore, e në veçanti kishat dhe manastiret ortodokse.

“Ne jemi duke pritur krijimin e kushteve të nevojshme që ekipet tona profesionale nga autoritetet e trashëgimisë kulturore të vizitojnë monumentin për të bërë vlerësimin e dëmeve. Menjëherë pas kësaj do të ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme në bashkëpunim me të gjitha palët relevante për ndërhyrje profesionale, me qëllim të sanimit të dëmeve të strukturën fizike të këtij manastiri”, shtoi ai.

Në orët e para të mëngjesit të ditës së diel është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa janë plagosur edhe policë të tjerë.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Banjska të Zveçanit ku terroristë serbë kanë sulmuar patrullën policore.

Tre sulmues kanë mbetur të vrarë ndërsa janë arrestuar tetë persona.

Policia e Kosovës ka gjetur në Manastir të Banjskës arsenal armësh. 

Related Articles