U zgjua herët në mëngjes dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq publikoi një video në rrjetin social “Instagram”, ku fliste për disa dëshmi që pretendonte se i kishte për sulmin terrorist serb të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.
Për publikimin e tyre ai përmendi afatin kohor 24 orësh, ku do të ‘dëshmonte’ se “gjithçka është shpikur nga Prishtina”.
“Ata shpikën gjithçka që thoshin dhe dinin si ta bënin atë. Ju njoftoj se brenda 24 orëve do të keni mundësi ta dëgjoni dhe ta shihni. Kemi deklarata nga dëshmitarët okularë që kanë qenë në vendin e ngjarjes, se si dhe në çfarë mënyre është vrarë brutalisht së paku një person”, tha Vuçiq.
Disa orë pas këtij adresimi, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovë, Gazmend Hoxha së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla publikuan dëshmi të cilat faktonin se sulmi terrorist i 24 shtatorit në Banjskë u organizua nga Serbia, e cila që nga ajo ditë kishte mohuar përfshirjen e saj.
Këtë përgënjeshtrim, Policia e Kosovës ia hodhi poshtë Vuçiqit duke publikuar pesë video ku zbulohet përgatitja e grupit terrorist në njërën ndër poligonet më të mëdha ushtarake në Serbi.
Video 1.
Incizimet e datës 26 gusht 2023 ku paraqiten imazhe nga Kopauniku-Serbi, ku shihen resortet dhe hotel Grey që është prone e Millan Radojqiq.
Video 2.
Incizimet i përkasin datës 2 shtator 2023 po ashtu ne Kopaunik afër hapësirave pronë e Milan Radoiqiq, këto imazhe paraqesin testimin e veshjeve të cilat janë kundër kamerave termike.
Pamjet tjera paraqesin ushtrimet finale të grupit terrorist në poligonin e ushtrisë serbe i njohur si Pasuljanske Livade.
Video 3.
Sipas pamjeve të datës 20 Shtator 2023 duket se ushtrimet taktike operative për sulme ndahen në disa grupe në drejtime të ndryshme të pajisur me armë të gjata dhe pajisje ushtarake. Këtu shihen mjetet motorike, ku sipas pamjeve shihet se grupi ka simuluar sulmin dhe simulohen edhe plagosjet e anëtareve të grupit terrorist si dhe dhënia e ndihmës se parë.
Video 4.
Në ketë video të datës 20 Shtator 2023 paraqiten pamje ku grupi ka hasur në rezistencë dhe ku simulohet mbështetja me mjete te blinduara (HUMVEE).
Video 5.
Këto pamje po ashtu të datës 20 Shtator 2023 janë vazhdim i pamjeve paraprake ku vërehet se automjeti luftarak (HUMVEE) ka ndaluar. Në vijën e parë shihet se ka inskenime/luftime ndërmjet gupeve . Vërehet se (HUMVEE) është duke mbështetur vijën e parë ndërsa luftimet e stimuluara nga grupi nën mbështetjen e (HUMVEE), janë duke shkëmbye zjarre. Si pjesë e këtij ushtrimi ushtarak të grupit terrorist vërehen edhe automjete (HUMVEE) dhe dyshohet se njeri nga automjetet e konfiskuar nga Policia e Kosovës në sulmin terrorist të datës 24 Shtator 2023 është përdorur në të njëjtin ushtrim.
Presidenti serb, Vuçiq gjithashtu kishte deklaruar se vrasja e rreshterit policor, tashmë heroit Afrim Bunjaku nuk ishte kryer qëllimshëm.
Edhe këtë pretendim ia demantoi Policia e Kosovës duke publikuar faktin e radhës.
“Vrasja e tij ka ndodhur me detonim të minës antikëmbësorike të detonuar nga afërsia me teledirigjues dhe me bateri elektrike që është përdorur nga grupi terrorist”, u shpreh Hoxha.
Nga këto fakte që i publikoi Policia e Kosovës, kishin kaluar vetëm pak orë nga adresimi i Vuçiqit. Mëngjesin e sotëm u bën 24 orë nga adresimi i tij. Teksa, para paraqitjes së tij për CNN, u bënë më shumë se 30 orë nga ky adresim në të cilin nuk tha gjë, pos propagandës.