Në Gjykatën Themelore të Gjilanit, të mërkurën ka vazhduar gjykimi ndaj të akuzuarve Lirim Jakupi, Afrim Ismajloviq dhe Faton Osmani, të cilët as nuk e pranuan fajësinë dhe as nuk u deklaruan, por zgjodhën që të mbrohen në heshtje.
Të akuzuarit u deklaruan kështu pasi kryetari i trupit gjykues Naser Maliqi, i pyeti të gjithë të akuzuarit me radhë se a e pranojnë fajësinë dhe a do të deklarohen për veprat për të cilat ngarkohen, raporton “Betimi për Drejtësi”.
I akuzuari Jakupi ndër të tjerash tha se është deklaruar edhe tri herë të tjera në prokurori e polici dhe se nuk ka çka tjetër të shtoj sepse mbetet pranë atyre deklaratave.
Mbrojtësja e të akuzuarit Jakupi, avokatja Elvira Haziri, propozoi që meqë të akuzuarit nuk u deklaruan seanca e sotme të shtyhet për një datë tjetër sepse nuk i kanë gati fjalët përfundimtare.
Propozimi i saj nuk pati asnjë kundërshtim nga palët tjera.
Paraprakisht ë këtë seancë u bë administrimi i provave, lidhur me rastin në fjalë, ku për disa prej tyre avokatët mbrojtës patën vërejte.
Në anën tjetër prokurori i shtetit Shefik Memeti, propozoi edhe prova të reja gjatë seancës së sotme.
Me aktvendim të trupit gjykues seanca e radhës u caktua të mbahet më 7 nëntor 2023, në të cilën ditë pritet të thuhen fjalët përfundimtare.
Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, të ngritur më 30 shtator 2022, Lirim Jakupi dhe Afrim Ismajloviq akuzohen se më 12 shtator 2021, rreth orës 19:42 minuta, në kafenenë “Cafe Bar “Premium” në rrugën “Villiam Shekspir” në Gjilan, pas një përgatitje paraprake, me dashje dhe në bashkëveprim, kanë privuar nga jeta tani të ndjerin B.V., nga Gjilani dhe kanë vënë në rrezik me dashje jetën e disa personave tjerë që kanë qenë në kafene dhe afërsi të tani të ndjerit.
Aktakuza thotë se bashkërisht kanë ardhur me veturën e markës “Audi A3”, të cilën po e drejtonte tani i pandehuri i tretë Faton Osmani, ndalen tek marketi “Korqa” dhe nga automjeti dalin dy të pandehurit të armatosur me armë dhe nisen në drejtim të kafenesë dhe me të arritur në vendin e ngjarjes, i afrohen në shpejtësi tani të ndjerit B.V, i cili ishte në shoqëri edhe me dy persona të tjerë ulur në karrige dhe po bisedonin, dhe me atë rast aty me shpejtësi arrijnë dy të pandehurit me armë në dorë dhe nga distanca prej rreth një metër, i pari shtie i pandehuri me pistoletë të kalibrit 9 mm, duke i zbrazur tetë fishekë dhe në vazhdim edhe i pandehuri tjetër, me revole të kalibrit 7.65 mm, duke e goditur me gjashtë plumba, në pjesë vitale të trupit.
Sipas aktit akuzues, tani i ndjeri nuk iu mbijeton plagëve dhe vdes menjëherë në vendin e ngjarjes, kurse të pandehurit pas kryerjes së vrasjes largohen me shpejtësi, shkojnë te vetura që ishte duke i pritur dhe nga aty ikin në drejtim të lagjes “Arbëria”, ku i pandehuri Lirim Jakupi, ka shtëpinë e vet.
Me këtë, Lirim Jakupi dhe Afrim Ismajloviq ngarkohen se kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”, nga neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.5 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, në datë, kohë dhe vend ashtu siç është përshkruar në dispozitivin e parë të kësaj aktakuze, të pandehurit Jakupi dhe Ismajloviq ngarkohen se kanë siguruar dhe mbajtur në pronësi në mënyrë të paautorizuar dy armë zjarri- pistoleta, njëra e kalibrit 9 mm, dhe tjetra e kalibrit 7.65 mm, me të cilat në bashkëveprim kane kryer veprën penale të vrasjes së rëndë, të tani të ndjerit B.V.
Me këtë, dy të akuzuarit ngarkohen me veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 par.1, të KPRK-së.
Kurse sipas dispozitivit të tretë të aktakuzës, i pandehuri Faton Osmani akuzohet se më 12 shtator 2021, rreth orës 19:42, në kafenenë “Cafe Bar Premium” në rrugën “Villiam Shekspir” në Gjilan pas një përgatitje paraprake, me vetëdije të plotë dhe dashje ka ndihmuar të pandehurit Lirim Jakupi dhe Afrim Ismajloviq, në kryerjen e vrasjes së rëndë të tani të ndjerit B.V.
Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri Osmani me automjetin e vet të markës “Audi A3”, para aktit të vrasjes, si drejtues i automjetit dhe me dy të pandehurit Lirimin dhe Afrimin si pasagjerë, me automjet bëjnë xhiro në rrugën e parkut të qytetit, aty në kafenenë “Premium” e vërejnë tani të ndierin B.V dhe të njëjtit pa u ndalur, vazhdojnë rrugën deri te rrethrrotullimi përballë Teatrit të qytetit, lëvizin në rrugën në drejtim të Ferizajt, te rrethi përballë Spitalit Regjional, kthehen në drejtim të lagjes së “Kamnikut”, të rrugëkryqi kthehen në të majtë në drejtim të Stacionit të autobusëve dhe në afërsi të marketit “Korqa”, aty e ndal automjetin.
Sipas aktakuzës, nga automjeti dalin dy të pandehurit, i pari Lirimi e pas tij edhe Afrimi, të cilët nisen në këmbë dhe shkojnë te kafeneja “Premium”, aty në bashkëveprim e privojnë nga jeta tani të ndjerin B.V, dhe pas kësaj ikin në drejtim të Stacionit të autobusëve dhe shkojnë e hipin në automjet ku ishte duke i pritur i pandehuri Faton Osmani, i cili e kthen automjetin në drejtim të kundërt nga kishte ardhur, dhe te udhëkryqi në lagjen e Kamnikut, kthen në të majtë vazhdon rrugën dhe kyçet ne rrugën e Zabelit, dhe nga aty lëvizë në drejtim të lagjes “Arbëria”, aty të pandehurit Lirimi dhe Fatoni, kanë shtëpitë e tyre.
Në këtë mënyrë, aktakuza thotë se i pandehuri me veprimet e veta ka ndihmuar në kryerjen e veprës penale para dhe pas kryerjes së veprës penale të vrasjes.
Me këtë, Faton Osmani akuzohet se kryer veprën penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale Vrasje e rëndë” nga neni 173, par. 1 nënpar. 1.5 lidhur me nenin 33 të KPRK-së.