U mbrojt në heshtje për rastin ku dyshohet se vrau dajën e tij, kush është Lirim Jakupi

U mbrojt në heshtje për rastin ku dyshohet se vrau dajën e tij, kush është Lirim Jakupi

Në Gjykatën Themelore të Gjilanit, të mërkurën ka vazhduar gjykimi ndaj të akuzuarve Lirim Jakupi, Afrim Ismajloviq dhe Faton Osmani, të cilët as nuk e pranuan fajësinë dhe as nuk u deklaruan, por zgjodhën që të mbrohen në heshtje.

Të akuzuarit u deklaruan kështu pasi kryetari i trupit gjykues Naser Maliqi, i pyeti të gjithë të akuzuarit me radhë se a e pranojnë fajësinë dhe a do të deklarohen për veprat për të cilat ngarkohen, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I akuzuari Jakupi ndër të tjerash tha se është deklaruar edhe tri herë të tjera në prokurori e polici dhe se nuk ka çka tjetër të shtoj sepse mbetet pranë atyre deklaratave.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, të ngritur më 30 shtator 2022, Lirim Jakupi dhe Afrim Ismajloviq akuzohen se më 12 shtator 2021, rreth orës 19:42 minuta, në kafenenë “Cafe Bar “Premium” në rrugën “Villiam Shekspir” në Gjilan, pas një përgatitje paraprake, me dashje dhe në bashkëveprim, kanë privuar nga jeta tani të ndjerin Bakush Veseli., nga Gjilani dhe kanë vënë në rrezik me dashje jetën e disa personave tjerë që kanë qenë në kafene dhe afërsi të tani të ndjerit.

Sipas të dhënave, viktima ishte daja i të dy akuzuarve, Lirim Jakupi dhe Faton Osmani.

Jakupi me ndodhinë e rastit, ka mohuar akuzat duke thënë se në atë ditë dhe kohë kur ka ndodhur vrasja ka qenë në Prishtinë me familje.

Por kush është Lirim Jakupi, i njohur me nofkën “Nacisti”?

Lirim Jakupi është i njohur për vepra penale si vrasje e arratisje nga burgu.

Ai ishte luftëtari i tri luftave në trojet shqiptare, atë të Kosovës, të Luginës së Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, si dhe luftës së Maqedonisë.

Ai përjetoi burgjet e UNMIK-ut, burgjet e Kosovës, EULEX-it, Maqedonisë, KFOR-it, Serbisë dhe shumë procese tjera.

Lirim Jakupi ishte përballur me shumë akuza nga drejtësia si ajo vendore, serbe e ndërkombëtare për krime lufte.

Për veprat e kryera në Maqedoni, gjatë periudhës shtator-dhjetor 2014, Lirim Jakupi  akuzohej nga EULEX-i.  Ndaj Jakupit edhe ishte ngritur aktakuza për kryerje të vrasjes së rëndë në tentativë, shkaktim të lëndimit të rëndë trupor dhe sulm kundër personave zyrtarë gjatë kryerjes së detyrës.

Rasti sipas EULEX-it ka të bëjë me pretendimet që i pandehuri, në shtator dhe në dhjetor 2004, ka sulmuar dhe ka hapur zjarr ndaj zyrtarëve policorë në Shkup dhe në Tetovë duke iu shkaktuar lëndime të rënda.

Gjatë këtij incidenti, ka mbetur i vrarë një student-shtetas kosovar, si dhe një polic maqedonas është plagosur rëndë

EULEX pretendon se Lirim Jakupi iku nga vendi i krimit. Ai u arrestua në Kosovë në janar të vitit 2014 dhe prej atëherë ka qenë në paraburgim. Ky ishte një hetim i përbashkët i kryer nga hetuesit e EULEX-it të njësitit të krimit të organizuar së bashku me prokurorët dhe hetuesit nga Republika e Maqedonisë ka sqaruar EULEX-i.

Nacisti në fillim të shtatorit të 2010, u arrestua nga policia e Kosovës dhe vuajti dënimin në Burgun e Dubravës, pas arratisjes nga ky burg më 18 gusht të vitit 2007, së bashku me shtatë të burgosur të tjerë.

Pas kësaj periudhe ai iu bashkëngjit grupit të armatosur që funksiononte në Malësinë e Sharrit, kryesisht rreth fshatit Brodec, ku pas ndërhyrjes të forcave policore maqedonase në këtë fshat më 7 nëntor të vitit 2007, në aksionin “Stuhia malore” u vranë gjashtë persona pjesëtarë të grupit të armatosur, ndërsa u arrestuan 13 banorë të tjerë të fshatit, të dënuar me 192 vite burg për aktivitete kundër rendit shtetëror dhe vepër terroriste. Gjatë këtij aksioni, Lirim Jakupi kishte arritur që të arratisej.

Në shkurt të vitit 2020, Lirim Jakupi ishte dënuar me 1 vit burgim me kusht dhe 700 euro gjobë. Kjo pasi që akuzohej nga prokuroria në Gjilan se ka kanosur të dëmtuarin Erhan Aliu dhe ka bartur armë pa leje.

Rasti, sipas aktakuzës, kishte ndodhur më 27 shtator 2019, në afërsi të fshatit Dobërqan të Gjilanit. Prokuroria pretendonte se teksa i dëmtuari kishte hyrë në tejkalim me veturën e tij dhe kishte shkuar në pozicion paralel me veturën e të akuzuarit, ky i fundit ka nxjerr revolen dhe ia drejton të dëmtuarit dhe një pasagjeri që ishte me të.

Ndryshe, Lirim Jakupi është i dënuar në mungesë me 15 vite burg nga gjyqësori në Maqedoni për veprimtari terroriste në rastin e Brodecit.

Related Articles