Kryekrimineli, ish nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radojçiq, të premtën e kaluar ka marrë mbi supe përgjegjësinë për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku.
Ndaj tij pritet të lëshohet një fletërreshtim ndërkombëtar, që i njëjti pasi të dalë jashtë territorit të Serbisë, të arrestohet nga policitë e shteteve me të cilat Kosova ka bashkëpunim.
Radojiçiq është prangosur sot në Serbi, mirëpo nuk dihet se si do ta trajtojë Serbia rastin e tij. Cilat janë procedurat për lëshimin e fletërreshtimin, cilat janë kriteret dhe sa do të jetë efektiv, flasin njohësi i çështjeve juridike Ehat Miftaraj dhe avokati Skënder Musa.
Të dielën e 24 shtatorit disa persona të armatosur kanë sulmuar Policinë e Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit. Aty mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, një polic u plagos dhe një u lëndua. Përderisa disa prej sulmuesve u arrestuan, një numër i madh i tyre arritën që të ikin maleve dhe kaluan në territorin e Serbisë, përfshirë këtu edhe Millan Radojiçiqin, i cili është në Listën e Zezë të SHBA’së dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Radojiçiqi para pak ditësh ka marrë përgjegjësinë për sulmin terrorist në Banjskë, ku mbetën të vrarë edhe të paktën 3 nga shokët e tij, pas shkëmbimit të gjatë të të shtënave.
“Kam bërë të gjitha përgatitjet logjistike për mbrojtjen e popullit tonë kundër okupatorit dhe akti nuk ka të bëjë me aktivitetet e mëparshme politike. Nuk kam njoftuar askënd nga autoritetet e Republikës së Serbisë, as strukturat politike lokale nga veriu i Kosovës”, thuhej në letrën e Radojiçiq.
Sot Ministria e Brendshme e Serbisë ka njoftuar se ai është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërkaq Kosova pritet të lëshojë fletërreshtim ndërkombëtar ndaj tij. Se si shkojnë procedurat ka folur drejtori ekzekutiv i IKD’së, Ehat Miftaraj.
Ai në një bisedë me Gazetën Express tha se prokurori i rastit bën kërkesë për fletëarrest ndërkombëtar dhe këtë kërkesë e dërgon në Gjykatën kompetente e cila më pas e çon në Ministrinë e Drejtësisë.
Miftaraj thotë se MD duhet më pas kërkesën ta procedojë në UNMIK që fletëarresti të futet në databazën e Interpolit.
“Në momentin që prokurori i rastit ka aktvendim për fillimin e hetimit, në të cilin dihen personat që dyshohen se kanë qenë pjesë e aktit terrorist në Banjskë, prokurori i shtetit ka të drejtë që të lëshojë fletëarrest ndërkombëtar ndaj të gjithë atyre personave për të cilët është e ditur se nuk janë në territorin e Republikës së Kosovës. Kërkesa për lëshimin e fletëarrestit i dërgohet gjykatës kompetente, e cila pas miratimit e kthen tek Ministria e Drejtësisë e cila pastaj e procedon te UNMIK si autoritet që bën ose fut fletëarrestet në databazën e Interpolit”, u shpreh Miftaraj.
Ai tregoi disa nga kriteret që duhet të plotësohen për t’u lëshuar një fletëarrest ndërkombëtar.
“Në radhë të parë, në bazë të ligjit të aplikueshëm në Kosovë, janë të përcaktuara kriteret që duhet të plotësohen për të lëshuar fletëarrest ndërkombëtar, ku ndër të tjerash hyjnë emri i personit të kërkuar, fotografia, gjurmët e gishtërinjve dhe dokumente tjera që e provojnë se i njëjti është i dyshuar për një vepër penale. Varësisht se sa do të jetë efikase në këtë rast Gjykata dhe Ministria e Drejtësisë, i njëjti do të mund të shpallet në Interpol brenda ditësh”, tha Miftaraj.
Ai deklaroi se këto të dhëna “me siguri” i posedojnë institucionet e sigurisë dhe drejtësisë në Kosovë, pasi Radojiçiqi ka qenë i kërkuar edhe më herët nga institucionet e Kosovës.
“Me vetë faktin që Radojiçiq është i kërkuar edhe më herët nga institucionet e Kosovës dhe se ka pasur fletarrest ndërkombëtar në Interpol, këto të dhëna me siguri që i disponojnë institucionet e sigurisë dhe drejtësisë në Kosovë”, tha ai.
Ndërsa avokati Skender Musa tha se para se të lëshohet fletërreshtim ndërkombëtar, duhet të lëshohet fletërreshtim kombëtar.
“Janë disa procedura, së pari duhet me u shterr të gjitha përpjekjet e autoriteteve të Kosovës. Kur të lëshohet fletërreshtimi kombëtar dhe nëse nuk kryen punë, atëherë vjen fletërreshtimi ndërkombëtar. Nuk shkon drejtëpërdrejt fletërreshtimi ndërkombëtar”, tha ai për Express.
Musa shprehet skeptik nëse Serbia do e dorëzojë Radojiçiqin në mënyrë vullnetare.
“Unë mendoj që organet e drejtësisë dhe vetë presidenti i Serbisë nuk besoj që e dorëzon Radojiçiqin në mënyrë vullnetare, pa ndonjë presion ndërkombëtar. Ata kanë me tentu me luajt rolin që ata me e hetu vetë dhe me mbajt ndonjë gjyq fals, siç ka ndodh me krimet e luftës.”
Ai përmendi një problem, për të cilin tha se e pengon Kosovën.
“Jemi pak të hendikepuar, sepse një pjesë e shteteve nuk na njohin dhe nuk kemi bashkëpunim ndërkombëtar me një pjesë të shteteve, që është kompetencë e MD’së”, deklaroi ai.
Për këtë çështje është deklaruar edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Ajo për EO ka thënë se janë në pritje të Gjykatës që ta bëjë kërkesën dhe se më pas do të veprojnë.
“Ministria e Drejtësisë e ka obligim që t’i adresojë kërkesat e Gjykatës në institucionet tjera. Në këtë rast, kur bëhet fjalë për fletreshtim ndërkombëtar, ne jemi në pritje të Gjykatës që të bëjë kërkesë për fletreshtim ndërkombëtar, dhe menjëherë pa vonesa do të veprojmë në përputhje me kompetencat që i kemi. Do të ketë përpjekje maksimale që të gjithë sulmuesit të identifikohen, sepse ka qenë një grup i madh i armatosur që ka tentuar ta shtrijë ndikimin edhe te serbët e tjerë. Fatmirësisht, serbët lokalë nuk i janë bashkuar”, ka thënë ajo.
Gazeta e ka pyetur pak më parë Ministrinë e Drejtësisë nëse e kanë pranuar kërkesën nga Gjykata, shefi i stafi të Haxhiut, Genc Nimoni tha se nuk mund të japë përgjigje me detaje për shkak të konfidencialitetit.
“Për shkak të konfidencialitetit të rastit, në këtë fazë, nuk mund të ketë përgjigje me detaje”, thuhet në përgjigjen e Nimonit.