Të gjithë të helmuarit në Mitrovicë janë në gjendje të mirë dhe janë liruar në shtëpi

Të gjithë të helmuarit në Mitrovicë janë në gjendje të mirë dhe janë liruar në shtëpi

Drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë në Mitrovicë, Fahri Shabani, ka thënë për KP, se 26 nxënësit e helmuar nga ushqimi, të cilët kanë kërkuar ndihmë mjekësore, janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe pas trajtimit janë liruar në shtëpi.

Sipas tij, në bazë të deklaratave të nxënësve, dyshohet se ata janë ushqyer në një lokal afër shkollave të mesme dhe dy shkollave tjera fillore në Mitrovicë.

“Prej dje pasdite kanë filluar të vijnë raste… me shqetësime shëndetësore të cilat janë karakteristike për intoksikacione alimentare apo helmime në ushqim që kanë qenë me temperaturë, plogështi, vjellje etj. Dje pasdite janë paraqitur shtatë raste në QKMF dhe pastaj gjatë orëve të mbrëmjes dhe natën ky numër ka arritur në 26. Prej tyre 21 kanë marrë terapinë mjekësore dhe janë liruar në gjendje të përmirësuar shëndetësore në shtëpi, ndërsa pesë raste janë referuar në spitalin e përgjithshëm të Mitrovicës ku edhe ata pasi kanë marrë terapinë janë liruar në shtëpi dhe nuk ka asnjë nxënës të hospitalizuar. Të gjithë janë në gjendje të përmirësuar shëndetësore… Shumica e tyre deklarojnë se janë ushqyer në një lokal afër shkollave të mesme dhe dy shkollave fillore të Mitrovicës’, ka thënë Shabani.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës ka inspektuar këtë lokal, me ç’rast njoftojnë se higjiena sanitare nuk ka qenë në gjendje të mirë dhe se e kanë mbyllur lokalin përkohësisht.

Në njoftimin e AUV thuhet se parregullsi kanë hasur më së shumti në pjesën ku përgatitet doneri, derisa shtojnë se lokali nuk ka ofruar dëshmi për pajisjen e stafit me libreza sanitare.

“Hapi i parë është ndaluar puna dhe ka nisur kontrolli i detajuar i të gjitha hapësirave dhe mjeteve të kuzhinës. Janë evidentuar të gjitha informata mbi procesin e punës dhe gatimit. Kryesisht ushqimet e gatuara kanë qenë: Hamburger, doner, tost etj. Përgatitja e mishit shkrirja në vaskë, deri të gatimi i final është bërë aty për disa produkte, disa të tjera janë furnizim nga mishtorja. Gjendja higjienike- sanitare në momentin e inspektimit nuk ka qenë e mirë. Sidomos në hapësirën e përgatitjes se mishit për doner. Nuk ka ofruar dëshmi për pajisjen e stafit me libreza sanitare dhe nuk është kryer DDD”, thuhet në njoftim.

Related Articles