Pjesëtarët e Policisë së Kosovës, të cilët kanë marrë pjesë në aksionin kundër sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, nuk kanë marrë asnjë cent shtesë, si shpërblim për suksesin e 24 shtatorit.
Të paktën deri tash, dy javë më pas, nuk ka asnjë vendim publik për këtë. Ndërsa një gjë të tillë s’e konfirmuan nga Ministria e Financave që i shpërndan rrogat, e as nga Policia.
Kryesindikalisti policor, Imer Zeqiri, thotë për Klan Kosova se policët që punuan në ditët dramatike, i kanë marrë vetëm kompensimet për orarin e zgjatur, por që kjo nuk konsiderohet shtesë apo shpërblim.
Ky thotë se nga një shumë simbolike për policët për të cilët po thuren lavde, do të ishte shenjë falënderimi për punën e tyre.
Megjithatë, Zeqiri thotë se kërkesë bazike për forcat e rendit është dhënia e shtesës për rrezikshmërinë, për të gjithë policët.
Tri ditë pas sulmit të Banjskës, qeveria ndau 50 mijë euro për familjen e heroit Afrim Bunjaku.
Ndërsa partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, nuk e përkrahu të enjten e kaluar rezolutën e Partisë Demokratike për përmirësim të kushteve të policëve, shtesat për rrezikshmërinë, sigurimin shëndetësor dhe pensionimin e parakohshëm.