Ushtria e Izraelit ka njoftuar të martën se ka gjetur trupat e 1500 militantëve të Hamasit në Izrael dhe rreth Rripit të Gazës.
Ushtria po ashtu ka thënë se ka marrë nën kontroll kufijtë me rajonin e Gazës.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu u zotua dje se sulmi i tij ndaj Hamasit do të “ndryshonte Lindjen e Mesme” pasi Izraeli shtoi sulmet ajrore në Rripin e Gazës dhe ndërpreu atë nga ushqimi, uji, karburanti dhe furnizimet e tjera në hakmarrje për pushtimin e përgjakshëm që vrau qindra persona.
“Si kryeministër i Izraelit, ju them sinqerisht, ditë të vështira janë ende përpara nesh,” paralajmëroi Netanyahu në një fjalim televiziv të hënën. Në total, më shumë se 1600 njerëz kanë humbur jetën në këto ditë. Konkretisht, më shumë se 900 njerëz janë vrarë në Izrael, sipas autoriteteve.
Ndërsa numri i palestinezëve të vdekur u rrit në më shumë se 680, tha Ministria e Shëndetësisë e Gazës. Ushtria izraelite tha të hënën se ka marrë kryesisht kontrollin e pjesës jugore, por luftimet vazhdojnë të ashpra. Mbi 300,000 rezervistë janë vënë në gatishmëri për operacionin tokësor që Izraeli po përgatit.