Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha, në 24 vjetorin e themelimit të PDK-së tha se kjo parti është partia e luftës, lirisë dhe pavarësisë, shkruan Gazeta “Enigma”.
Berisha përmes një postimi në profilin e tij në Facebook tha se “të fillosh veprimtarinë politike me civilizimin, duke zëvendësuar armët e UÇK-së me idetë për Republikën e Kosovës shtet sovran e i pavarur i të gjithë shtetasve që jetojnë në tokën e saj, është shenja që Zoti dërgon për njeriun në tokë “yllin polar”.
“24-vjetori, PDK-në e gjënë pranë obligimit civil e kushtetues për të ngadhënjyer sërish mbi shtresëzimet antikombëtare të shoqërisë shqiptare moderne, si neokomunizmi dhe izmat të tjerë ekstrem, përfshirë akuzat e ndërtuara nga Beogradi për figurat që janë themeli dhe muri mbrojtës i kalasë dardane politike, të njohur nga diplomacia botërore si Partia Demokratike e Kosovës”, thuhet në postimin e tij.
“Rini shqiptare, ju që do të vini gjatë rrugëtimit tuaj atdhetar, do t’i gjeni këto vepra midis nesh, prandaj mbajini si shenja identifikuese dhe krijoni për pasardhësit ruaj shtetin e Kosovës si diellin që i rrezon krejt shqiptarët mbetur ende të okupuar nga shtetet fqinje”, tha tutje Berisha.
“Betohem se do të jem me ju në secilin hap e në secilën ditë që do të punoni për të mirën e Republikës së Kosovës! Zoti e bekoftë rrugën tuaj! Lavdi të rënëve për lirinë që gëzojmë!”, ka përfunduar Berisha. /GAZETA ENIGMA/