Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, deklaroi që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duhet të japë dorëheqje, në qoftë se nuk ka qenë në dijeni për sulmin terrorist në Banjskë.
Megjithatë, Rashiq e vlerësoi të çuditshëm faktin që Vuçiq nuk mund të ketë qenë në dijeni për një akt të tillë, pasi sipas tij, presidenti serb pyetet për gjithçka në atë vend.
“Është shumë e çuditshme që njeriu që pyetet për gjithçka dhe Vuçiq e thotë vetë që di çdo gjë në Serbi, është e çuditshme të mos jetë në dijeni që ka ndodhur përgatitja e disa njerëzve në një pjesë të territorit të Serbisë. Prandaj, nëse Vuçiq nuk e ka ditur për sulmin në Banjskë është befasi, por nëse me të vërtetë nuk ka qenë në dijeni, kjo është arsye për dorëheqje. Sepse, çfarë presidenti i një shteti relativisht i vogël, i cili mburret me informacionet të cilat ka për çdo person, si është e mundshme mos ta dijë që diku ka përgatitje ose ushtrime, e ku një organizatë paramilitare që edhe nëse do i kishin parimet paqësore, është dashur përsëri ta dijë”, deklaroi Rashiq në emisionin “Këndi i Debatit”.
Po ashtu, Rashiq u shpreh i sigurt që Shërbimet e Sigurisë në Serbi, kanë qenë në dijeni për sulmin terrorist.
I pyetur se a është dakord të zhvillohet hetim ndërkombëtar për këtë çështje, Rashiq tha se ky hetim veçse është duke ndodhur.
“Unë jam i sigurt që po ndodhë edhe në këtë moment dhe në atë raport jam i sigurt që do të kemi disa institucione ndërkombëtare të përfshira”, shtoi tutje Rashiq në Tëvë1.
Kujtojmë se në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës më 24 shtator, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.
Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues.