Kurti: Shënuam rekord të të mbjellave që nga paslufta

Kurti: Shënuam rekord të të mbjellave që nga paslufta

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar për punën e qeverisjes së tij në sektorin e bujqësisë.

Në një postim në Facebook, i pari i qeverisë ka theksuar se për dy vjet e gjysmë qeverisjeje kanë shënuar rekord të të mbjellave që prej pasluftës.

“Në krahasim me dy vjet më parë, sipërfaqet e të mbjellave me drithëra janë rritur për gati 2/3. Sepse përkrahjen me subvencione për bujqit dhe fermerët e kemi rritur deri në 216%”, ka shkruar Kurti.

Ai ka bërë të ditur se mbi 214 milionë euro është vlera e mbështetjes financiare për bujqit deri më tani, ndërsa për herë të parë kanë subvencionuar naftën dhe plehun bujqësor.

“Sigurimeve bujqësore u janë shtuar edhe gjashtë kultura të reja, kurse primin e sigurimit e kemi subvencionuar për 75%”, është shprehur Kurti.

Kryeministri poashtu ka shtuar se aplikimi për subvencione dhe grante është bërë më i lehtë.

“Keqpërdorimet, padrejtësitë dhe korrupsioni janë ndalur. Gjasat për të përfituar bujqit dhe fermerët meritorë janë rritur. Për herë të parë janë aprovuar 50% të aplikimeve për grante, teksa numri i fermerëve të mbështetur çdo vit është mbi 30 mijë. Fermeri i Kosovës sot, është fermeri më i përkrahur në rajon”, ka përfunduar Kurti.

Related Articles