Nga janari i këtij viti është raportuar për disa grabitje të armatosura në institucione mikrofinanciare.
Sipas Sinjalit, grabitjet ishin kryer nga i dyshuari Dardan Gashi, i cili i armatosur dhe i maskuar kishte kryer grabitje në Prizren dhe Prishtinë. Derisa Gashi ishte shpallur në kërkim nga Policia, ai nga arratia kreu vjedhjen në institucionin mikrofinanciar “Ria” në kryeqytet ku kishte arritur të merrte shuma të konsiderueshme të parave.
Së fundmi, Gjykata e Prizrenit e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar Gashin me dënim unik prej 11 vjet burgim dhe me gjobë prej 3 mijë e 500 euro nën akuzën për grabitje të 13 mijë 650 euro në dy institucione mikro-financiare.
Për veprën penale grabitja, Gashit i është shqiptuar dënimi me gjobë në shumën prej 500 euro dhe dënimi me burgim në kohëzgjatje prej 5 vitesh.
Për veprën penale të grabitjes së ngelur në tentativë, Gashit i është shqiptuar dënimi me gjobë në shumën prej 500 euro dhe dënimi me burgim në kohëzgjatje prej 3 vitesh.
Kurse, për veprën tjetër të grabitjes i është shqiptuar dënimi me gjobë në shumën prej 500 euro dhe dënimi me burgim në kohëzgjatje prej 5 vitesh.
Për veprën penale armëmbajtje pas leje Gashit i është shqiptuar dënimi me gjobë në shumën prej 2 mijë euro.
Ndërkaq, sipas Gjykatës të akuzuarit dënimi unik i është shqiptuar në kohëzgjatje prej 11 vite, i cili dënim do t’i llogaritet nga koha e kaluar në paraburgim nga 4 maji 2023.
Ndaj të njëjtit është vazhduar masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.
Gjykata e ka obliguar të akuzuarin Gashi, që të paguajë dëmin material në shumën prej 11 mijë e 370 euro të dëmtuarës “Finca” dhe shumën prej 2 mijë e 280 euro të dëmtuarës “Capital Ria”.
Gjithashtu, të akuzuarit i është konfiskuar dhe vetura dhe gjërat e tjera me të cilat është kryer vepra penale.