Gjykata Speciale sot ka marrë vendim që ish-kryetari i OVL-së së UÇK-së, Hysni Gucati, të lirohet nga burgu në mënyrë të parakohshme.
Në lidhje me këtë, avokati Artan Qerkini, ka thënë se secili person i dënuar me burgim, pasi t’i mbajë 2/3-tat e burgimit, ka të drejtë që të aplikojë për lirim të parakohshëm.
“Ndërsa vendimin në lidhje me këtë kërkesë e merr kryetari i gjykatës pas mbajtjes së një seance të cilën ai e merr vendimin e gjyqtarëve që e kanë gjykuar rastin, prokurorisë dhe avokatit mbrojtës”.
“Nëse kryetari i gjykatës e vlerëson se dënimi e ka mbërri efektin risocilaizues, ai mund të bie vendim, përmes të cilit, personin që është dënuar me burgim e liron nga vuajtja e dënimit dhe pastaj janë procedurat administrative të ekzekutimit të vendimit të kryetarit”, tha Qerkini në “Info Magazine” në Klan Kosova.
Tutje, Qerkini tha se të njëjtën kërkesë ka të drejtë ta bëjë edhe ish-nënkryetari i OVL-së së UÇK-së, Nasim Haradinaj, të cilit iu shqiptuan 4 vjet e 6 muaj burgim në të njëjtën ditë me Gucatin.
“Secili person i cili e vuan 2/3-tën e dënimit, ka të drejtë të parashtrojë një kërkesë të tillë, pra edhe Haradinaj, marrë parasysh që është dënuar në të njëjtën ditë me Gucatin, ka të drejtë të parashtrojë kërkesën e njëjtë, mirëpo varet prej kryetarit të gjykatës se a do ta aprovojë këtë kërkesë”.
“Thënë shkurt, edhe Haradinaj kualifikohet juridikisht që të parashtrojë kërkesën e njëjtë si Gucati, mirëpo varet prej gjykatës se a do ta aprovojë të njëjtën apo jo”, tha ai.