Gjatë ditës së djeshme është raportuar për një rast të mashtrimit, ku viktimë është një burrë nga Malisheva. Lidhur me rastin është arrestuar një qytetar i Preshvës dhe i njëjti është dërguar në mbajtje.
Sinjali mëson ekskluzivisht se bëhet fjalë për Gjemshit Kadrijin, 57-vjeçar.
57-vjeçari dyshohet se ka marrë një shumë parash prej rreth 2 mijë euro nga malishevasi, me premtimin se do të ndikonte në një rast gjyqësor.
Kadriji u arrestua të enjten në kufi, posa tentoi të hynte në Kosovë dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Burimet e Sinjalit kanë zbardhur detaje nga dëshmia e tij, i cili ka deklaruar se ndonëse ka tërhequr paratë në fjalë, nuk ka përfituar asgjë.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që i dyshuari të ndalohet për 48 orë dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Mashtrim’.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.