Analisti Agon Maliqi ka reaguar pas deklaratës së presidentit francez, Emmanuel Macron, rreth çështjes së liberalizimit të vizave për Kosovën.
Maliqi ka thënë se Franca nuk ka fuqi që ta revokojë vendimin e BE’së për vizat.
Sipas tij, gjëja e vetme që Parisi mund ta bëjë është ta detyrojë një rishikim të tyre, por është diçka për të cilën do të rezistohet.
Ai ka thënë se presidenti francez ka për qëllim që të rrisë presionin për ta ringjallur dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
“Franca nuk ka fuqi të pezullojë vendimin e BE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën. Mund të përpiqet të detyrojë një rishikim, por do të rezistohet. Macron e di këtë, kështu që me shumë gjasa ky është qëndrim dhe presion për të ringjallur dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Gjë që me shumë gjasa do të dështojë.”
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, bëri një deklaratë sa i përket liberalizimit sot në një konferencë të përbashkët me kryeministrin shqiptar Edi Rama në Tiranë.
Në media u raportua deklarata e tij e përkthyer nga Zyra e Kryeministrit të Shqipërisë që u la të nënkuptohej se Franca ka pezulluar vizat për Kosovën.
Por, zyra e Macron sqarohet për fjalimin e presidentit: Çështja e liberalizimit të vizave mbetet e hapur.
Një tjetër sqarim ka ardhur nga zyra e Presidentit të Francës, Emanuel Macron lidhur me çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.
“Presidenti ka folur për tensionet mes Serbisë dhe Kosovës. Ai tha se cilat ishin kërkesat tona. Në këtë kontekst dhe duke marrë parasysh bllokadën e Prishtinës, presidenti vlerësoi se çështja e liberalizimit të vizave mbetet e hapur”.
“Për më tepër, është një proces teknik dhe një diskutim që duhet bërë me partnerët tanë evropianë.’ thuhet për ABC News, nga zyra e Macron.