Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, shkoi në Kinë për të marrë pjesë në një forum.
Përveç presidentin kinez Xi, Vuçiq tha se u pa pak edhe me presidentin rus Vladimir Putin, të cilin e përshkroi si optimist, duke mos treguar për çka.
“E pashë presidentin Putin, nuk patëm një takim dypalësh, folëm shkurt, ai pati një takim të rëndësishëm dhe të gjatë me Xi-në”, tha Vuçiq në një deklaratë për gazetarët serbë në Pekin, duke shtuar: “E pashë se ai (Putini) po shpërthen nga vetëbesimi, tha Vuçiq.
Ai bëri me dije se Putin kishte mbajtur takime të gjata me presidentin kinez Xi dhe kryeministrin hungarez Viktor Orban.
Vuçiq më pas tregoi që edhe ai vetë ka folur me Orbanin për seancën e ardhshme të Këshillit Europian, për të cilën tha se është e rëndësishme për Serbinë dhe shtoi për “lojërat që po luhen atje”.
Vuçiq ka pretenduar se ka pasur një bisedë jashtëzakonisht miqësore me presidentin kinez Xi Jinping “për të gjitha temat e rëndësishme”.
Siç tha ai, “është biseduar për Kosovën, respektimin e normave juridike ndërkombëtare dhe atë që po kalon Serbia, si dhe aplikimin e standardeve të dyfishta, mosrespektimin e Kartës së OKB-së dhe Rezolutës 1244”.
“Kemi hasur në mirëkuptimin e miqve tanë kinezë. Ne folëm edhe për gjëra të tjera që janë të nevojshme për ne, nga bashkëpunimi në të gjitha fushat e ekonomisë, biznesit, bashkëpunimit ushtarako-teknik”, tha Vuçiq dhe shtoi se “për momentin Serbia nuk ka nga kush tjetër të marrë armë më moderne dhe më të sofistikuara”.