Pankartat “Objekt i ngritur nga kriminelët”, “Stop nxitjes së urrejtjes”, “Jo shenja krimi në kampus”, e “Krimet e Millosheviqit dhe Arkanit nuk i falë askush”, dhe fotografi që tregojnë gjenocidin e kryer nga Serbia në Kosovë, janë vendosur nga studentët në kishën ortodokse në oborrin e UP-së pas liturgjisë që është mbajtur dje në këtë objekt.
Përfaqësuesit e Parlamentit Studentor deklaruan se objekti i kishës në kampusin universitar është objekt i trashëgimisë së kriminelit Millosheviq dhe Arkanit dhe simbol i gjenocidit të kryer në Kosovës.
Kryetari i Parlamentit Studentor, Erblin Hoxha, tha se ky objekt ose duhet të largohet nga kampusi i UP-së ose të shpallet muze për pasqyrimin e gjenocidit serb mbi popullin e Kosovës.
“Ky objekt duhet të trajtohet si çdo objekt tjetër ilegal dhe të largohet nga kampusi universitar në pajtim me ligjin. Kërkojmë nga organet tona të rendit të mos lejojnë e as të japin leje kriminelëve të organizojnë provokime të tilla të fshehura nën petkun e liturgjisë, sepse janë të shtyra nga urrejtja dhe jo nga besimi. Toleranca fetare e kombit shqiptar, përkundër provokimeve, është shembullore dhe vlerë me të cilën ne të gjithë krenohemi. Prandaj, si studentë apelojmë tek institucionet e Republikës së Kosovës ose largojeni objektin ilegal dhe mos lejoni provokime nga askush në kampusin tonë ose shpalleni muze për pasqyrimin e gjenocidit serb mbi popullatën shqiptare dhe kulturocidit dhe dhunës ndaj hapësirave dhe objekteve të institucioneve të arsimit në Kosovë”, tha ai.
Ai u shpreh se nga institucionet e Kosovës kërkojnë lirimin e kampusit universitar nga simbolet e krimit të Millosheviqit dhe Arkanit.
“Ky objekt nuk është kishë, por objekt trashëgimie e kriminelit Millosheviq dhe Arkanit, ky objekt është simbol iu fashizmit dhe gjenocidit të kryer në Kosovë. Ne përfaqësuesit e studentëve e kundërshtojmë edhe objektin ilegal edhe liturgjinë që përpiqet që ta rikthej memorien për ekzistencën e kësaj trashëgimie kriminale. Kundërshtojmë fuqishëm provokimin nga vijuesit e mendësisë së kreatorëve të këtij objekti, sepse kryen krime dhe gjenocid ndaj popullit të Kosovës, kundërshtojmë fuqishëm provokimin nga vijuesit e mendësisë së kreatorëve të këtij objekti, sepse ky provokim erdhi në përvjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në ditën e fillimit të tërheqjes së forcave kriminale serbe nga Kosova dhe në prag të Ditës së Çlirimit të Kosovës. Nga institucionet e Republikës së Kosovës kërkojmë lirimin e kampusit universitar nga simbolet e krimit të Millosheviqit dhe Arkanit që me këtë objekt gjoja sakral nuk e kishin për motiv promovimin e paqes dhe fjalës së zotit por urrejtjen, dëbimin masiv dhe gjenocidin kundër shqiptarëve”, tha ai.
Kundër mbajtjes së liturgjisë në objektin e kishës ortodokse aksion ka mbajtur sot edhe Partia Socialdemokrate./kp