Qalaj: Darka që shtroi Osmani për policët “darkë e turpit”

Qalaj: Darka që shtroi Osmani për policët “darkë e turpit”

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës dhe ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, në një intervistë në FRONTAL të autorit Arsim Lani ka thënë se Njësiti Special Intervenues i Policisë së Kosovës e ka bojkotuar darkën e shtruar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në ish-kampin Belvedere që tashmë njihet me emrin “Enver Zymeri”.

Qalaj në T7 ka thënë se nuk është situatë e mirë kur njësia më elitare e bën një veprim të tillë. Sipas deputetit të PDK-së përtej kësaj, shtrimi i darkës nga presidentja është një veprim skandaloz.

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës duke bërë një analogji më një veprim të mëhershëm të Kurtit, ka thënë se edhe presidentja Osmani ka dashur që përmes kësaj darke të humb vëmendjen nga seanca e jashtëzakonshme për kushtet e Policisë së Kosovës, shkruan Express.

“PO e kam informatën e tillë. Është situatë jo e mirë për vendin që njësia me elite e bën një veprim të tillë. Përtej kësaj është një skandal organizimi i asaj darke në kampin Enver Zymberi. Kur e kemi pasë projektligjin për pensionim të parakohshëm të policëve, që nuk u votua nga Vetëvendosje, në kampin atëherë Belvedere atë kohë ka shkuar Kurti dhe Sveçla vetëm për ta tërhequr vëmendjen nga seanca që ka qenë“, ka thënë Qalaj.

Deputeti Qalaj e ka quajtur “Darkën e Lamës” si “darkë e turpit” dhe sipas tij ka pasur të njëjtin qëllim sikurse veprimi i mëhershëm i Kurtit.

„Mbrëmë kjo darkë e Lamës apo darka e turpit si të duash quaje, ka pasur të njëjtin qëllim, që për shkak të seancës së jashtëzakonshme që ka qenë sot, prapë të influencoj tek policët të mos i kushtojnë rëndësi seancës“, ka shtuar tutje deputeti.

Sipas tij, Osmani dhe Kurti s’dallojnë fare në veprime.

„Nuk ka ndonjë veprim të presidentes që dallon nga kryeministri Kurti”, ka thënë Qalaj kur i është vënë në pikëpyetje analogjia e dy ngjarjeve.

Qalaj ka thënë se Njësiti Special Intervenues po kërkon kushte për të gjithë policët, duke thënë se ata s’po kërkojnë luks por kushte elementare.

“Ata po kërkojnë për të gjithë policët e Kosovës. Në Banjskë kanë marrë pjesë të gjithë. Ka pas edhe individë të tjerë nga njësi të tjera. Ata nuk po kërkojnë luks, po kërkojnë kushte elementare“, është shprehur deputeti Qalaj.

Related Articles