Sipas deputetit të LDK-së Driton Selmanaj, kryeministri Albin Kurti është njeriu më përçarës.
Deputeti Selmanaj në emisionin “Pressing” në T7 tha se Kurti është njeriu më ndarës edhe pse në pushtet ka ardhë me idenë e bashkimit.
Ai përmendi disa raste që sipas tij Kurti i ndau shqiptarët.
“Lëvizja Vetëvendosje ka folë për Bashkimin Kombëtar, ndërkohë sot jemi më të ndarë të se kurrë me krejt shqipëtarët kudo. Shkon në Tiranë nuk flet me kryeministrin, njëri në katin e parë, njeri në katin e dytë, ndeshjen s’e këqyrin bashkë. Shkon në Tetovë, i prish punët me parti politike shqiptare e nxit urrejtjen ndërpartiake, dmth… Ky është njeriu më ndarës e më përçarës por ka ardhë në pushtet me idenë e përbashkimit, e vlerave të përbashkëta, e nacionalizimit etj”, tha Selmanaj.
“Ne jemi parti politike opozitare dhe nuk mund të marrim rolin e partisë që qeverisë me vendin. Përgjegjësitë që i ka ky pushtet s’mund t’ia marrim ne, ne mund të bëjmë zhurmë. Ideja është që nëve të na shihni më proaktivë, opozita mund të ndalë aq sa mund të ndalë procese negative për vendin, të mobilizojë masa”, shtoi ai.