Siguria publike në Kosovë konsiderohet se po cenohet nga krime të natyrave të ndryshme, sidomos nga konfliktet e shumta, ku shpeshherë situata eskalon edhe në përleshje fizike.
Në një zënkë janë përfshirë në orët e hershme të mëngjesit të sotëm dy taksistë në fshatin Shtedim të Podujevës.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se njësitë policore me të dalë në vendin e ngjarjes, kanë kapur në flagrancë 63-vjeçarin duke tentuar ta fshehë armën që mbante me vete.
Arma është sekuestruar, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje dhe do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armës’.