Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka konfirmuar se të enjten në Bruksel, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të zhvillojë takime me liderë evropianë.
Ai ka thënë se temë e këtyre takimeve do të jetë situata në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe procesit të dialogut. Ngjashëm sikurse Kurti takime do të zhvillojë edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
“Takimet do të jenë përforcim i asaj që është thënë gjatë vizitës së Miroslav Lajçak në Kosovë dhe Serbi gjatë fundjavës. Kurti dhe Vuçiq do të kenë një seri takimesh individuale me krerë evropianë, për çfarë nuk do të japim detaje tash”, ka thënë Stano në konferencë.
“Këto takime do të zhvillohen në mbështetje të dialogut. Presim që të dyja palët që të kthehen dhe t’i përmbushin obligimet e tyre pa vonesa si dhe të angazhohen për shtensionim. Nuk do të ketë takime të nivelit të lartë të dialogut, por vetëm takime individuale me liderë evropianë”.