Reuten: BE-ja të jetë më e balancuar dhe t’ia heq masat Kosovës

Reuten: BE-ja të jetë më e balancuar dhe t’ia heq masat Kosovës

Eurodeputeti holandez, Thijs Reuten, ka thënë se Bashkimi Evropian duhet të bëjë më shumë presion mbi Serbinë për të ofruar bashkëpunim për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, ku si pasojë u vra rreshteri policor, Afrim Bunjaku.

Në një intervistë për Radio Kosova, Reuten ka thënë se Serbia është e interesuar të mbajë të bllokuar negociatat me Kosovën, derisa kjo e fundit të zotohet se do të angazhohet në zbatimin e marrëveshjes, përfshirë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ai ka kritikuar BE-në, duke thënë se në veçanti në muajin e fundit, ka qenë shumë e butë me Qeverinë e Serbisë dhe tepër e ashpër me Qeverinë e Kosovës.

Sipas tij, për këtë arsye kanë insistuar në kërkesën ndaj BE-së që të jetë më e balancuar dhe t’i largojë masat ndaj Kosovës.

“Siç e dini, mendoj se kam qenë shumë kritik gjatë gjithë procesit, veçanërisht edhe për rolin e Bashkimit Evropian. Mendoj se Bashkimi Evropian, në veçanti në muajin e fundit, ka qenë  shumë i butë me qeverinë serbe dhe ka qenë tepër i ashpër me Qeverinë e Kosovës. Kjo është edhe arsyeja pse Parlamenti Evropian, pjesërisht për shkak të insistimit tonë brenda Parlamentit Evropian, i ka kërkuar Bashkimit Evropian të jetë më i balancuar dhe t’i largojë masat kundër Kosovës si dhe të jemi më të qartë se çfarë presim nga qeveria serbe. Sepse problemi për mendimin tim, nuk është se ne nuk mund të gjejmë një zgjidhje, sepse të gjithë elementët për një zgjidhje janë në tryezë se ne kemi marrëveshjen e ofruar, ajo që mungon është ekzekutimi i këtyre marrëveshjeve. Ajo që mungon është t’i thuash edhe qeverisë serbe, se duhet të bëjë një zgjedhje, duhet të bësh një zgjedhje nëse dëshiron të përparosh edhe në rrugën tënde evropiane, sepse ata thonë se duan të jenë pjesë e familjes evropiane  dhe  ata thonë se duan të jenë pjesë e BE-së, por ajo që shihet në praktikë është se Serbia ka një interes të madh për ta bllokuar procesin. Sa herë që jemi afër ndonjë përparimi, Serbia tërhiqet. Ose nuk nënshkruajnë ose nuk angazhohen, ose bëjnë diçka tjetër për të destabilizuar sërish situatën. Dhe kjo është problematike. Dhe kjo është ajo që unë mendoj se Bashkimi Evropian duhet të jetë më i prerë për të thënë, shikoni, ne shohim se çfarë po bëni, ne shohim se, për shembull, me atë që ndodh. Pra, pyetja këtu është: a po negociojnë të dyja palët me mirëbesim? Kjo është pyetja. Mendoj se nga ana e Qeverisë së Kosovës nuk mungon angazhimi. Kosova është zotuar se do të angazhohet në zbatimin e marrëveshjes, përfshirë edhe asociacionin, por edhe elementet e tjera. Mendoj se Serbia duhet të tregojë se a dëshiron gjithashtu të përmbushë të gjithë elementët në mirëbesim dhe jo vetëm të mbajë procesin të bllokuar dhe të mos shkojë përpara. Gjëja tjetër që mendoj se duhet të ndodhë është se si Kosova, ashtu edhe qeveria serbe duhet të rivlerësojnë edhe marrëdhëniet e tyre me Bashkimin Evropian dhe të përqendrohen ndoshta më pak te njëri-tjetri dhe më shumë te pjesa evropiane. Dhe kjo kërkon gjithashtu një qëndrim të Bashkimit Evropian, për shembull, në kërkesën e anëtarësimit, natyrisht, për shkak se unë mendoj se kjo gjithashtu është duke u vonuar shumë gjatë. Gjithashtu Kosova ka paraqitur një kërkesë për anëtarësim. Dhe unë mendoj se, përveç dialogut, përveç normalizimit me Serbinë, Kosova gjithashtu ka nevojë, sepse e meriton, një përgjigje nga Bashkimi Evropian”, ka thënë Reuten.

Related Articles