Agjencia për shëndetësi e Kombeve të Bashkuara dhe grupe të tjera të ndihmës thanë më 28 tetor se nuk janë në gjendje të komunikojnë me ekipet e tyre në Rripin e rrethuar të Gazës, përderisa po vazhdojnë bombardimet izraelite dhe sulmet tokësore.
Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom, tha se ndërprerja e linjave të komunikimit në Gazë e ka bërë “të pamundur që ambulancat të shkojnë te të plagosurit”.
“Ne vazhdojmë të mos kemi kontakt me stafin tonë dhe me ndërtesat shëndetësore. Jemi të shqetësuar për sigurinë e tyre”, shkroi ai në X, që më herët njihej si Twitter.
UNWRA, agjencia e OKB-së për refugjatë njoftoi se deri të premten, 58 anëtarë të stafit të saj janë vrarë nga sulmet izraelite në Gazë.
Guillemette Thomas, koordinator shëndetësor në territoret palestineze për Mjekët pa Kufi, tha se kjo organizatë nuk po arrin të kontaktojë me ekipin për më shumë se 12 orë.
“Situata është shumë e vështirë”, tha ai për Associated Press. “Ne nuk mund të komunikojmë me ekipin tonë. Nuk e dimë nëse janë të sigurt”.
Në Bregun e pushtuar Perëndimor, dhuna në rritje nga kolonët izraelitë ka detyruar shumë palestinezë, veçmas komunitetet e beduinëve, që të largohen. Zyra e OKB-së për Koordinim të Çështjeve Humanitare në Territoret e Pushtuara tha të premten se dhuna e kolonëve në Bregun Perëndimor ka bërë që të zhvendosen mbi 600 palestinezë, përfshirë 211 fëmijë.
Izraeli tha të shtunën se po bombardon tunelet dhe bunkerët nëntokësor të grupit militant palestinez Hamas në Gazë. Bombardimet kanë shkaktuar ndërprerje të linjave të komunikimit dhe shërbimeve të internetit, shkruan REL.
Izraeli është zotuar se do të zhdukë Hamasin, grup që kreu sulme në jug të Izraelit më 7 tetor. Deri më tani, si pasojë e dhunës mbi 7.300 palestinezë janë vrarë në Rripin e Gazës dhe mbi 1.400 izraelitë.