Barnatoret e kryeqytetit prej kësaj jave do të duhet të mbyllen në orën 21:00, me përjashtim të 5 prej tyre që janë të obliguara të kujdestarojnë deri në mëngjes.
Këto të fundit do të punojnë natën me rotacion, sipas orarit dhe rregullores të përpiluar nga Komuna e Prishtinës për herë të parë, për funksionimin e këtij sektori. Mirëpo në ditë vikendi e festash numri i farmacive private kujdestare shkon në 10 sosh, raporton Ju Flet Prishtina.
Zbatimi i këtij vendimi nuk u mirëprit nga gjitha subjektet e kësaj lëmie.
Drejtori i Shëndetësisë, Izet Sadiku tha se 2-3 barnatore nuk e kanë përfillur rregulloren në fillim, kështu duke e tejkaluar orarin e punës, por që të njëjtat janë gjobitur nga Inspektorati i kryeqytetit.
E, njëra nga barnatoret që e kundërshtoi këtë rregullore të komunës në dy ditët e para të kësaj jave po arsyetohet me kërkesën e madhe të qytetarëve për të blerë ilaçe, të cilët kanë ardhur edhe në orën 21:00, në kohën kur barnatorja është dashtë të mbyllet dhe puna ka zgjatur pak më shumë.
Bile sipas kësaj farmacie kjo rregullore e re e komunës i ka detyruar që t’i largojë katër punonjës nga puna.
Në ndërkohë sipas kryetares së Shoqatës Farmaceutike të Kosovës, Florina Berisha, ata që veçse kanë kujdestaruar, kanë vërejtur nevojën për staf shtesë.
Sidoqoftë, qytetarëve ju ka munguar ky shërbim në orët e natës dhe në raste urgjencash të cilët e kanë mirëpritur këtë.