Shtëpia e Bardhë tha të dielën se Izraeli ka përgjegjësinë të mbrojë jetët e njerëzve të pafajshëm në Gaza
Komentet i bëri në disa intervista për televizionet amerikane, këshilltari i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, mes kritikave në rritje për vdekjen e civilëve palestinezë.
Administrata e Presidentit amerikan, Joe Biden është vendosur gjithnjë e më shumë nën trysni për ta bërë të qartë se mbështetja e palëkundur ndaj Izraelit, nuk do të thotë miratim për të gjitha veprimet e aleatit të Shteteve të Bashkuara në enklavën e varfër bregdetare.
Zoti Sullivan tha se Uashingtoni po i bënte pyetje të vështira Izraelit, përfshirë për çështje që lidhen me ndihmën humanitare, dallimin mes terroristëve dhe civilëve të pafajshëm dhe planet e Izraeli për operacionin ushtarak.
“Ne besojmë se në çdo orë, çdo ditë të këtij operacioni ushtarak, IDF (Forcat e Mbrojtjes së Izraelit), qeveria izraelite duhet të bëjnë të gjitha përpjekjet e mundshme për të bërë dallimin mes terroristëve të Hamasit që janë objektiva legjitime ushtarake dhe civilëve që nuk janë”, tha zoti Sullivan në CNN.
“Shtetet e Bashkuara kanë qenë të qarta për këtë çështje dhe zoti Biden do ta përsërisë qëndrimin në një telefonatë të dielën me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu”, tha zoti Sullivan.
Këshilltari i Sigurisë Kombëtare tha gjithashtu se kryeministri Netanyahu ka përgjegjësinë të “frenojë” pjesëtarët ekstremistë të vendbanimeve hebraike në Bregun Perëndimor, nën kontrollin e Izraelit.
“Është krejtësisht e papranueshme që të ketë dhunë nga elementët ekstremistë kundër njerëzve të pafajshëm në Bregun Perëndimor”, tha ai.
Sulmi brutal i befasishëm i grupit militant palestinez Hamas brenda Izraelit më 7 tetor, i cili shkaktoi vdekjen e 1,400 personave, solli si kundërpërgjigje një valë bombardimesh ajrore nga Izraeli dhe së fundmi një operacion nga toka.
Militantët kanë marrë mbi 220 persona peng nga Izraeli, të cilët besohet të jenë në Gaza.
Autoritetet mjekësore në Rripin e Gazës që janë nën kontrollin e Hamasit, thonë se 8,005 palestinezë janë vrarë nga sulmet e Izraelit në enklavën me 2.3 milionë banorë.
Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë Hamasin një organizatë terroriste.
Militantët e Hamasit që kontrollojnë Gazën kanë depërtuar në mesin e popullatës palestineze dhe në infrastrukturën civile, duke e bërë operacionin kundër tyre jashtëzakonisht të vështirë, vuri në dukje zoti Sullivan.
“Kjo i shton vështirësitë për Izraelin por nuk e pakëson përgjegjësinë e tij sipas ligjit ndërkombëtar humanitar, për të bërë dallimin midis terroristëve dhe civilëve dhe për të mbrojtur jetët e njerëzve të pafajshëm, dhe kjo është shumica dërrmuese e njerëzve në Gaza”, tha zoti Sullivan./VOA