Gaza sërish pa internet

Gaza sërish pa internet

Palestinezët kanë raportuar sërish për ndërprerje të shërbimeve të internetit dhe të telefonisë mobile në Gazë më 1 nëntor, disa orë pasi sulmet izraelite rrafshuan ndërtesa banimi afër qytetit të Gazës dhe teksa trupat tokësore po luftojnë me militantët e Hamasit brenda territorit të rrethuar.

Kompania palestineze e telekomit, Paltel, raportoi për “ndërprerje të plotë” të shërbimeve të internetit dhe telefonisë mobile. Kjo është hera e dytë në pesë ditë që banorët mbesin pa kontakt me botën jashtë. Shërbimet e komunikimit u ndërprenë edhe gjatë fundjavës, përderisa një numër i madh i trupave izraelite u futën në Gazë.

Agjencitë e ndihmës humanitare kanë paralajmëruar se ndërprerjet e këtyre shërbimeve pengojnë rëndë punën e tyre, teksa situata humanitare në Gazë veçse është e rënduar pasi gjysma e popullsisë prej 2.3 milionë palestinezësh janë zhvendosur dhe janë duke mbaruar furnizimet bazike pas më shumë se tre javë luftë që u nxit nga sulmet e përgjakshme të Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor.

Përpjekjet për të telefonuar banorët brenda Gazës mëngjesin e së mërkurës ishin të pasuksesshme. Grupi avokues për qasje në internet, NetBlocks.org konfirmoi se Gaza është “në mes të një ndërprerje totale” që është e ngjashme me situatën që u krijua gjatë fundjavës.

Një ditë më herët, një breshëri sulmesh ajrore rrafshuan ndërtesa banimi në një kamp refugjatësh afër qytetit të Gazës. Drejtori i një spitali aty pranë tha se kanë pranuar viktima, por shtoi se qindra persona u plagosën ose u vranë. Numri i saktë i viktimave ende nuk dihet. ]

Izraeli tha se sulmi, që shënjestroi liderin e lartë ushtarak, Ibrahim Biari, ka shkatërruar një qendër komanduese të militantëve dhe një rrjet tunelesh nën tokë. Sipas Izraelit, gjatë sulmit janë vrarë dhjetëra luftëtarë.

Zëdhënësi i ushtrisë, Jonathan Conricus, tha se Biari ka qenë një prej planifikuesve kyç të sulmeve të 7 tetorit dhe se ndërtesat e banimit u shembën për shkak se u shkatërrua kompleksi nëntokësor i Hamasit.

Pretendimet e asnjërës palë në këtë konflikt nuk mund të konfirmohen në mënyrë të pavarur.

Në ditët e fundit, trupat izraelite kanë avancuar drejt periferive të qytetit të Gazës nga veriu dhe lindja. Zyrtarët izraelitë kanë thënë se infrastruktura ushtarake e Hamasit, përfshirë qindra kilometra tunele, gjenden në qendër të qytetit, që para luftës ishte shtëpi e afër 650.000 banorësh.

Izraeli ka qenë i paqartë lidhur me operacionet e tij në Gazë, por banorët dhe një zëdhënës i grupit militant kanë thënë se trupat duket se po tentojnë të marrin kontrollin e dy rrugëve kyçe që çojnë në drejtimin veri-jug.

Vlerësohet se 800.000 palestinezë janë zhvendosur në jug të qytetit të Gazës nga pjesa verore pas urdhrit të Izraelit për evakuim, por qindra mijëra vazhdojnë të jenë në veri, përfshirë edhe ata që u larguan fillimisht, por më pas u kthyen për shkak se Izraeli po ashtu kryen sulme ajrore edhe në jug.

Related Articles