Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kërkuar nga Qeveria Kurti që t’i heqin ca mëditje nga shëtitjet e tyre për ta zgjidhur problemin me pagat e policëve.
Në llogarinë e tij në Facebook, ai ka thënë se një qeveri normale nuk do të lejonte – aq më pak pas sulmit terrorist – t’i kishte djemtë elitarë në protestë.
“Për t’i marrë 2,200 euro u duhet të luftojnë me kriminelë e terroristë, me nga 20 orë punë e 4 orë gjumë – dhe atë çfarë pune e çfarë gjumi se!”, ka shkruar Abdixhiku.
“I thonë punë jashtë orarit; punë shtesë. Për punë të tillë mos paçin nevojë asnjëherë; por janë aty sa herë që kemi nevojë; si vend, si shtet si shoqëri. I thonë angazhim patriotik për atdheun”, ka thënë ai tutje.
Më tej ai ka bërë të ditur se paga e policëve në fjalë është 630 Bruto dhe se Neto i marrin 550 euro.
“Po kërkojnë dinjitet. Dhe dinjitet meritojnë këta dhjetëra djem. Hiqni ca mëditje nga shëtitjet e thata dhe zgjidhjen e keni krejt të lehtë”, ka shtuar i pari i LDK-së.
“Një Qeveri normale nuk do të lejonte – aq më pak pas sulmit terrorist – t’i kishte djemtë elitarë në protestë. Një Qeveri normale nuk do t’i trajtonte këta djem me propagandë!”, ka potencuar ai.
Sipas tij, ky shtet nuk ka qeveri normale.
“Ka mashtrues që nxisin turma edhe në këtë temë. Edhe një përplasje e re. Edhe një propagandë. Sikurse me minatorë, mësues, polic e me secilën shtresë në këtë vend”, ka shkruar në fund Lumir Abdixhiku.