Me rastin e 7-të vjetorit të vdekjes së Astrit Deharit, ish-aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, sonte është bërë ndezja e qirinjve te Murali për Astrit Deharin.
Në këtë përkujtim morën pjesë krerët e Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet, familjarë të Astrit Deharit dhe qytetarë.
Avni Dehari, babai i Astrit Deharit, tha se organet e drejtësisë po vazhdojnë të mos e zbardhin shkakun e vdekjes së ish-aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Sot bëhen 7 vjet që drejtësia është peng në duart e prokurorisë dhe gjyqësisë së Kosovës, dhe kjo dëshmon se rasti po manipulohet me qëllim që të fshihet e vërteta… Një prokurori normale, për një rast që është vrarë në burg të shtetit, mos për 7 ditë, mos për 7 javë, do të duhej ta zbardhte rastin për 7 muaj. Vetë fakti që 7 vjet nuk e zbardhi rastin, flet se fshihet e vërteta”, tha Dehari.