Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka vizituar të premten dy komunat e pjesës veriore të vendit, Zveçanin dhe Zubin Potokun.
Krasniqi ka takuar kryetarë, Ilir Pecin dhe Izmir Zeqirin si dhe ekipet e tyre, ku u njoftua për sfidat e përditshme në këtë pjesë të Kosovës.
“Me Kryetarin Ilir Peci diskutuam për punët dhe sfidat e tyre. Posaçërisht për situatën e sigurisë, e cila është e brishtë pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë. Natyrisht, diskutuam edhe për përkushtimin dhe angazhimin e Kryetarit në shërbim të të gjithë qytetarëve të Zveçanit, pa dallim”, ka thënë i pari i PDK-së.
Duke parë nga afër gjendjen e qytetarëve në komunën e Zveçanit, Krasniqi i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që “të mos diskriminoj dy komunat që udhëhiqen nga radhët e PDK-së, por t’i trajtojë ato në mënyrë të barabartë”.
“U njoftova për sfidat dhe kërkesat e shumta, veçanërisht të banorëve shqiptarë të tri fshatrave Kelmend, Zhazhë e Boletin. Ftoj Qeverinë e Kosovës që me urgjencë dhe prioritet të miratoj kërkesat e qytetarëve të kësaj komune për rindërtimin e shtëpive të shqiptarëve të cilët dëshirojnë të kthehen në fshatrat dhe vatrat e tyre”, ka theksuar ai.
E kryetari Ilir Peci ka falënderuar Krasniqin për vizitën dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj qytetarëve të asaj komune.
“E falënderoj Kryetarin Krasniqi, si lideri i vetëm politik nga Prishtina që na ka vizituar dhe i cili që nga marrja e mandatit ka qenë pranë nesh për të na mbështetur në punën tonë në shërbim të të gjithë qytetarëve të komunës së Zveçanit”, ka deklaruar Peci.
Pas Zveçanit, Krasniqi ka vizituar edhe Komunën e Zubin Potokut, ku ka takuar Kryetarin Izmir Zeqiri, kabinetin e tij dhe qytetarët e kësaj komune.
“Sot pata nderin ta pres Kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi. Ai konfirmoi mbështetjen e vazhdueshme ndaj nesh. E falënderoj shumë për përkrahjen ndaj nesh dhe qytetarëve të komunës tonë”, ka thënë Zeqiri.
Ndërkaq, Kryetari Krasniqi tha se është vërtetë domethënëse dhe për t’u vlerësuar nga të gjithë fakti që, në mënyrë të veçantë shqiptarët e kësaj komune, të koncenturar në fshatin Çabër, kanë vazhduar dhe po vazhdojnë që përkundër sfidave të qëndrojnë e jetojnë aty dhe të zhvillojnë jetën institucionale.
“Shfrytëzoj rastin që të ftoj dhe t’i kërkojë Qeverisë së Republikës së Kosovës, që vërtetë të ketë një qasje ndryshe dhe shumë më përkrahëse për këta zyrtarë shtetërorë të cilët po punojnë pa ndalur në Komunën e Zubin Potokut, por edhe në komunat tjera në pjesën veriore të vendit”, është shprehur ai.
Lideri i PDK-së tha se ajo që i bëri shumë përshtypje pozitive dhe që vlerëson, është fakti që kishte shumë qytetarë edhe të komunitetit serb të cilët janë aty në baza ditore për të kërkuar shërbime dhe po marrin shërbime, të cilat Kryetari Izmir Zeqiri dhe të gjithë zyrtarët i kanë ofruar për të gjithë, pa dallim.