Kryeministri Albin Kurti ka shkuar në Malaga të Spanjës pasi është pritur mbrëmë në Pallatin Elysse nga Presidenti i Francës Emmanuel Macron. Sipas një njoftimi të Vetëvendosjes Kurti ka shkuar atje, në Kongresin e Partisë së Socialistëve Evropianë (PES) ku subjekti që drejton ai është bërë anëtar i kësaj partie.
Krei i VV’së aty ka mbajtur edhe një një fjalim ndërsa Vetëvendosje thotë se “anëtarësim erdhi si rezultat i punës së bërë ndër vite, konsistencës në parimet socialdemokrate si organizatë dhe me shembull të udhëheqjes socialdemokrate në qeverisje”.
Kurti ka udhëtuar në Francë në Forumin e Paqes i ftuar nga Presidenti i Francës. Dje, atje, me bashkëshorten e tij është pritur nga Presidenti Macron ndërsa gjatë ditës ka takuar ekonomistin Thomas Piketty si dhe ka vizituar Shkollën Normale Superiore. Në Paris po qëndron edhe Ndihmëssekretari i Shtetit James O’Brien i cili ka lajmëruar një takim me Kurtin. Pas VV’së edhe Kryeministria ka njoftuar për udhëtimin “njëditor” të Kurtit në Spanjë. Atje, sipas ZKM, Kurti është shoqëruar nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku dhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti.
Njoftimi i plotë:
Lëvizja VETËVENDOSJE! bëhet anëtare e organizatës më të madhe socialdemokrate në Evropë – PES
Sot, në Kongresin e Partisë së Socialistëve Evropianë (PES) – që po mbahet në Malaga të Spanjës për hir të zgjedhjeve evropiane të 9 qershorit 2024 – me votë të anëtarëve iu dha drita e gjelbërt anëtarësimit të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në këtë familje politike të rëndësishme.
PES është forca politike më e madhe e së majtës në Bashkimin Evropian e cila është e përfaqësuar edhe në Parlamentin Evropian me grupin ‘’Socialistët & Demokratët’’ (S&D).
Pas fjalës hyrëse së Kryetarit të PES dhe ish-Kryeministrit të Suedisë Stefan Löfven mbi sfidat e Europës, Kryetari Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, iu drejtua delegatëve të partive anëtare me një fjalë përshëndetëse, ku theksohej progresi i përgjithshëm i Kosovës, por edhe kohën e rëndë që përjeton Evropa.
Anëtarësimi i Lëvizjes në këtë organizatë është një tjetër përparim në marrëdheniet ndërpartiake e ndërkombëtare, që do ta ndihmojë subjektin tonë në realizimin e synimeve dhe të programit progresist.
Ky anëtarësim erdhi si rezultat i punës së bërë ndër vite, konsistencës në parimet socialdemokrate si organizatë dhe me shembull të udhëheqjes socialdemokrate në qeverisje.