Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i cili po qëndron në Paris për Forumin dyditor të Paqes, tha se nuk ka pasur nisma për takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i cili gjithashtu po qëndron në kryeqytetin francez.
Vuçiq, duke folur para gazetarëve, tha se “nuk e di për çfarë do të flisnim”.
“Ai zgjodhi se me cilët përfaqësues të Bosnjës dhe Hercegovinës do të takohej, kështu që pyes veten se çfarë parimesh hipokrite janë këto për respektimin e integritetit territorial”, tha ai.
Siç transmeton “Tanjug” , Vuçiq tha se për të gjithë në Perëndim është e qartë se Kurti nuk dëshiron të formojë Asociacionin.
“Mendoj se e kanë të qartë të gjithëve se Kurti nuk dëshiron të formojë Asociacionin, nuk dëshiron përparim në dialog, dhe se gjithçka tjetër ishte marifete ballkanike që funksionuan për një ose dy ditë. Për ne është e rëndësishme të ruajmë jetën e serbëve në Kosovë, të ruajmë paqen, por nuk besoj se Asociacioni do të formohet ndonjëherë derisa Kurti të jetë në pushtet në Prishtinë”, tha Vuçic.
I pyetur nëse ka pasur komente për kokëfortësinë e Kurtit për mospërmbushjen e marrëveshjes, Vuçiq thotë se “edhe kur ka pasur, dhe se ka pasur shumë më tepër nga sa priste”, nuk do ta thoshte këtë publikisht sepse, siç sqaron ai, “nëse do të donin do ta thoshin vetë publikisht”.
I pyetur nëse janë të sakta pretendimet e opozitës se atij i duhen zgjedhje për të njohur pavarësinë e Kosovës, ai përgjigjet duke cituar Aleksandar Tijaniqin se “secili lëviz brenda kufijve të hipokrizisë së vet”.
“Kurrë nuk do ta njoh pavarësinë e Kosovës. Por unë kam 11 vjet që dëgjoj gënjeshtra. Dhe shumë patriotë të rrejshëm më dhanë predikime dhe kurrë nuk më falnin”, tha Vuçiq.
Këto komente ai i bëri gjatë qëndrimit në Forumin e Paqes në Paris.
Ndryshe, Vuçiq sonte në Pallatin Elysee do të ketë një takim me presidentin francez Emmanuel Macron, me të cilin do të diskutojë për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Siç tha ai, Macron mund të pritet para fundit të vitit në Beograd.
Në fund të tetorit, Kurti dhe Vuçiq takuan liderët evropianë. Kurti u shpreh se ishte i gatshëm t’i nënshkruante dokumentet në pako, duke akuzuar Serbinë se ka refuzuar nënshkrimin. Liderët evropianë pas takimeve kanë bërë publike kërkesën që Kosova të nisë me themelimin e Asociacionit e që Serbia ta jetësojë njohjen de-facto. Disa ditë para takimit, përfaqësues të SHBA-së, BE-së, Gjermanisë, Italisë dhe Francës në Kosovë sollën draftin për Asociacionin.