Shtetet e Bashkuara të Amerikës duan që ta shohin Milan Radojiçiq të mbajë përgjegjësi për organizimin e sulmit terrorist në Bajnskë të Zveçanit më 24 shtator. Kështu bëri të ditur ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier në një diskutim në “Atlantic Council”.
Ai fillimisht u pyet për hetimet që po bëhen në lidhje me rastin që la të vrarë zyrtarin policor, Afrim Bunjaku.
“Hetimi ynë është në përfundim. Ne nuk jemi gati që të bëjmë të gjitha elemente e këtij hetimi, por dua të përsëris disa gjëra, e marrim këtë shumë seriozisht….Ka qenë një kërcënim ndaj sigurisë së Kosovës dhe sovranitetit, dhe një tragjedi. U vra një zyrtar policor i Kosovës, ka mundur të ketë të tjerë.” – u shpreh ai.
Hovenier tutje përsëriti që ShBA nuk e ka marrë lehtë këtë çështje, dhe se përgjegjësit duhet të dalin para drejtësisë.
Ndonëse tashmë është konfirmuar edhe nga pamjet, por edhe nga vetë ai, Radojiçiq nuk ka dhënë llogari para drejtësisë për organizimin e sulmit terrorist në Kosovë.
Hovenier u pyet edhe mbi mundësinë e ekstradimit të tij në Kosovë, gjë e cila është kërkuar nga autoritet e vendit tonë.
Në ShBA, Hovenier u shpreh se për një gjë të tillë, do të kishte bazë të mjaftueshme për të proceduar me çështje kriminale, derisa shtoi se Radojiçiq duhet të mbajë përgjegjësi.
“Z.Radojiciq e bëri të ditur përmes avokatit që ka qenë prezent dhe organizues i sulmit. Në sistemin e ShBA-së, do të kishte bazë të mjaftueshme për të proceduar me një çështje kriminale, nuk jam prokuror apo avokat. Ne besojmë që Radojiçiq është në mesin e njerëzve që duhet të mbahet përgjegjës, dhe presim që kjo të ndodhë.” – tha ai.