Rafael Duamena ka ndërruar jetë në spital pasi humbi ndjenjat në sfidën midis Egnatias dhe Partizanit në minutën e 24’ të sfidës.
Sulmuesi ganez i Egnatias mori ndihmën e parë mjekësore në fushë dhe u dërgua në spital, por nuk arriti të mbijetojë.
Kjo nuk ishte hera e parë që sulmuesit ganez i ka ndodhur kjo gjë në fushën e lojës dhe mjekët e kishin thënë që të hiqte dorë nga futbolli megjithatë 28-vjeçari i shpërfilli këshillat e tyre.
Pak vite më parë, ai ishte diagnostikuar me një problem në zemër dhe në vitin 2020 u detyrua të vendoste defibrilator për të shmangur arrestet kardiake, para se të firmoste me Real Saragozën.
Mjekët e kishin këshilluar të braktiste futbollin profesionist, pasi zemra e tij mund të mos e përballonte më, por Duamena veproi kundër këshillave të tyre.
Në një intervistë të dhënë për gazetën zvicerane “NZZ” (“Neue Zurher Zeitung”) pak kohë më parë, ai konfirmoi se defibrilatori që iu implantua, ishte vënë dy herë në punë.
Një herë kur ishte te Saragoza në Spanjë dhe një herë te Linz në futbollin austriak. Në të dyja rastet ai pësoi kolaps, gjë që çoi në kërkesën që të braktiste idetë e tij për të vazhduar në futbollin profesionist. Por, sulmuesi i shpërfilli kërkesat që të hiqte dorë nga loja në fushën e blertë, duke rezultuar në një fund tragjik për të.