Për tri ditë vizitë në vendet në Kosovë ku jetojnë serbët etnikë, gazetarë serbë nga Beogradi e Novi Sadi panë një realitet tjetër. “Ne në Serbi për Kosovën lexojmë propagandë”- thanë ata.
Për Dalibor Stupar ishte hera e parë që shëtiti nëpër rrugët e Mitrovicës së Veriut. Ai u çudit që kjo pjesë e Kosovës duket aq e qetë në krahasim me atë çfarë shohin në mediat në Serbi, edhe pse edhe vetë është gazetar.
Befasia më e madhe për të ishte që për tri ditë nuk pa shumë trupa të Policisë së Kosovës dhe të KFOR-it, ashtu siç zakonisht paraqitet gjendja në veri në mediat serbe. “Këtu qenka qetë, edhe pse në fillim nuk dija çfarë të prisja”- tha ai.
Stupar, punon në median Autonomija. info, e cila gjendet në Novi Sad, qytet në krahinën e Vojvodinës. Megjithatë, gazetari i fajëson mediat qendrore në Beograd të cilat sipas tij janë vegël e presidentit Aleksandar Vuçiq, dhe më shumë iu shërbejnë qytetarëve propagandë se sa informata të vërteta.
“Unë nuk pashë asnjë barrikadë apo gjëra të tilla, kështu që më duket si një qytet normal, por nuk kam qëndruar këtu për një kohë të gjatë, kështu që nuk mund të them shumë”- tha Stupar në një intervistë për KALLXO.
Gazetarët nga Serbia erdhën për të shkëmbyer përvoja me gazetarët shqiptarë. Në këtë mënyrë, të dy palet e shteteve armike besojnë që mund të ndërtojnë një bazë më të fortë komunikimi në mënyrë që gazetari mos të jetë e njëanshme.
Ata qëndruan tri ditë e dy netë në Graçanicë dhe në Veri të Mitrovicës. Gazëtarët patën rastin të shëtiten rrugëve të veriut e të flasin me njerëzit atje. Dallimi mes asaj që shohin çdo ditë ne Serbi, imagjinatës së tyre se çfarë ndodh në Kosovë dhe asaj që panë në Kosovë ishin shumë të ndryshme nga njëra-tjetra.
“Ne për Kosovën lexojmë propagandë”- thonë ata, duke shtuar që në mediat atje, gjendja në Kosovë paraqitet shumë dramatike.
Në zyrat e medias lokale të veriut të Kosovës, KoSSev, së bashku me dy gazetarë nga Kosova ata përveç dialogut politik dhe luftës së fundit, ata diskutuan për kulturat e të dy popujve, martesat, ushqimin dhe përditshmërinë.
“Po, është ndryshe sepse në media gjithmonë ke raportime për ndonjë incident apo diçka të tillë, por nuk duket kështu. Kur isha në Prishtinë ishte shumë bukur. Kemi dalë dhe nuk kemi pasur asnjë problem, kemi biseduar serbisht ose anglisht sepse nuk di shqip, kështu që nuk kemi pasur probleme”- shtoi ai.
Ngjashëm mendon edhe Tanja Maksiq nga BIRN Serbia. Ajo thotë që në mediat në Serbi kanë një imazh shumë të kufizuar për Kosovën në përgjithësi, dhe veçanërisht për veriun e Kosovës.
“Përfaqësimi në Serbi është mjaft i kufizuar kështu që edhe rrugët në Mitrovicë apo ura pothuajse nuk shihen ndonjëherë në kanalet kryesore serbe. Kështu që për mua ishte një përvojë shumë e rëndësishme të kisha një shans për të parë se si duket, si duken dyqanet, si duken kafenetë, si po sillen njerëzit në rrugë dhe kështu”- tha Maksiq.
Përgjatë diskutimeve, ata rithanë disa herë që në Serbi qytetarët asnjëherë nuk dëgjojnë zërin e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti nëpër takimet për dialog, pasiqë nuk paraqitet në media direkt, por vetëm i parafrazuar nga gazetari.
“Mediat kanë mundësinë të na tregojnë anën tjetër, ndaj mendoj se nëse gazetarët njihen me njëri-tjetrin, do të jetë më mirë sepse mund të pyesim njërin prej tyre. Unë mund t’ju pyes diçka dhe ju mund të më jepni disa informacione që të mund të kontrolloj nëse kjo është e vërteta që thotë TV apo jo”- tha Stupar.
Ai beson që do ishte mirë të ketë disa bashkëpunime për disa artikuj me gazetarët kosovarë apo gjëra të tilla që t’i tregojmë njerëzve jetën reale dhe disa të mendojnë se i mungojnë TV dhe çdo ditë.
Ndërkaq, Maksiq, shprehu keqardhjen që takime të tilla nuk mbahen shpesh mes gazetarëve të dy vendeve. Por, ajo e sheh si tejet të nevojshme që gazetari të jetë në vendngjarje, të shohë dhe të flasë me banorët e me gazetarët, të shkëmbej përvoja e praktika që përballen redaksitë, problemet me të cilat ata po përballen dhe si rezultat të ofrohen strategji për t’i zgjedhur së bashku.
Gazetarët kosovarë patën rastin të shohin se si punohet në median që mbulon komunat veriore, KoSSev. Drejtoresha e portalit, Tatjana Lazareviq, i bëri lutje gazetarëve të dy vendeve që të shmangin njënashmërinë.
“Kur bëhet fjalë për raportimin si në serbisht ashtu edhe në shqip, konkretisht kur flasim për mediat e Beogradit dhe ato të Prishtinës, sigurisht e kuptoj që ka arsye objektive pse gazetarët nxitojnë me kohën dhe barrierat gjuhësore dhe mungesën e burimeve të tjera” – tha ajo.
Megjithatë, Lazareviq thotë që sidomos në raste të raportimit nga tensionet, duhet të paktën të ndërtohet më shumë mirëkuptim mes palëve është që të sigurohet hapësirë komunikimi.
Të dy palët bashkë i bëri nisma “Peer to Peer” e Internews Kosova dhe BIRN Serbia. Shkëmbimit u parapriu prezantimi i një studimi të përbashkët mes dy këtyre organizatave, analizë e cila ka vënë në pah që mediat e të dy vendeve nuk raportojnë në formën e duhur qoftë nga jeta e përditshme, qoftë nga tensionet.
Përvetësimi i gjuhëve të njëri-tjetrit qoftë nga Kosova, qoftë nga Serbia, shihet si një nga zgjidhjet që gazetarët të jenë më të saktë në raportim.
“Në mediat serbe ju për shembull kur keni prezantimin e asaj se si duket Prishtina sot, në përgjithësi do të shihni kupolat e universitetit, por kur vini këtu e shihni që Prishtina është zgjeruar shumë, ka ndërtesa të reja, por jo këto ju nuk do t’i vëreni fare në mediat tona”- tha Maksiq.
Gazetarët kosovarë pritet që gjatë vitit të ardhshëm të vizitojnë Boegradin e Novisadin, për të shkëmbyër përvoja me gazetarët atje.