Kryetari i Partisë së Serbëve të Kosovës, Aleksandër Jabllanoviç, ka treguar arsyen e takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç në Beograd këtë të mërkurë.
“Është mirë të kemi komunikime të tilla, meqë shumë veta janë fshehur prapa Qeverisë së Serbisë dhe më kanë akuzuar mua e quajtur tradhtar”, tha Jabllanoviç.
Kur pyetet nëse shkuarja e tij në Beograd mund të jetë “sinjal” se do marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 17 dhjetorit që pritet të mbahen në Serbi, ish-ministri për Kthim në Qeverinë e Kosovës e mohon.
“Kjo nuk është e vërtetë dhe do të dëshmohet në zgjedhjet e ardhshme”, shtoi politikani serb nga Kosova.
Në platformën sociale në Facebook, Partia e Serbëve të Kosovës, ka njoftuar se Jabllanoviç ka zhvilluar një bisedë miqësore me Vuçiç-in.
“Për dallim nga opozita në Serbi, pikëpamjet e së cilës janë të afërta me ato të Albin Kurtit, qëndrimi ynë dhe interesi i përbashkët është një luftë e mëtejshme për serbët dhe mbijetesën tonë në Kosovë në kohën e ‘terrorit’ dhe ‘persekutimit’ më të madh nga Qeveria e Kosovës”, thuhej në njoftim.
Ndryshe nga Serbia ku pritet të mbahen zgjedhje në muajin e ardhshëm, Jabllanoviç nuk kishte pranuar të garojë për kryetar të Leposaviqit në zgjedhjet e jashtëzakonshme për komunat veriore të 23 prillit, pasi ishte tërhequr nga gara zgjedhore.
Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, Jabllanoviç kishte potencuar se vendimi për tërheqje ishte marrë nga kryesia e partisë.
Sipas tij, partia e tij po tërhiqej, sepse nuk kishte kushte adekuate për mbajtje të zgjedhjeve, si dhe ishte ankuar për mënyrën se si do të mbahen ato, duke përmendur faktin se do të mbahen në kontejnerë dhe se siguria do të garantohet nga Policia e Kosovës.
Por, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte dhënë një arsyeje tjetër pse Jabllanoviçi nuk mori pjesë në zgjedhje.
Katër muaj më parë, Kurti deklaroi publikisht se me gjasë që Jabllanoviç vendosi të largohej nga gara për kryetar komune në zgjedhjet e fundit, pasi pranoi 1 milion euro dhe dy banesa në Beograd.