Mbrëmë në një familje në Junik, një person dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj babait të tij.
Sinjali mëson se dikush nga familja e ka denoncuar rastin në Polici, ku ka deklaruar se pas një konflikti, 23-vjeçari e ka sulmuar fizikisht babain e tij, duke i shkaktuar lëndime dhe frikë e shqetësim të madh.
Sipas informacioneve të para, i dyshuari është recidivist i dhunës në familje, pasi edhe më parë është arrestuar.
Si rezultat i denoncimit, Policia është vënë në lëvizje dhe ka arrestuar të dyshuarin, i cili më pas është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i njëjti është dërguar në mbajtje dhe rasti ndaj tij është iniciuar si ‘Dhunë në familje’.