Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka ngecur në realizimin e projekteve kapitale në nëntëmujorin e këtij viti.
Nga 257 projekte të parapara, 169 prej tyre janë me 0 për qind realizim. Një nga projektet që ka ngecje është edhe ai i rrugës Prishtinë-Mitrovicë, për të cilin janë shpenzuar vetëm 2 për qind e mjeteve.
Projekti i nisur një dekadë më parë për zgjerimin dhe rehabilitimin e rrugës magjistrale Prishtinë-Mitrovicë i prin listës së dështimeve në realizimin e projekteve nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Ani se për të janë paraparë 22.5 milionë euro për vitin 2023, vetëm 2 për qind e mjeteve janë shpenzuar gjatë nëntëmujorit të parë, ndërsa projekti ka mbetur pezull shkaku i shkëputjes së kontratës me operatorin.
Një procedurë e re tenderimi është hapur muajin e kaluar, por nga e cila ende nuk është përzgjedhur operatori që do të vazhdojë realizimin e projektit.
Pas hapjes së njoftimit për dorëzimin e ofertave mbi ekzekutimin e punimeve në rrugën nacionale Prishtinë-Mitrovicë, nga kompania “Pevlaku & Patishta” së cilës i është shkëputur kontrata muaj më parë, kanë paralajmëruar ndjekjen e rrugëve ligjore për kompensim të dëmit.
Përfaqësues të kompanisë i kanë thënë KOHËS se kontrata është shkëputur në mënyrë të kundërligjshme nga Ministria e Infrastrukturës dhe se këtij dikasteri qeveritar i është kërkuar që të anulojë vendimin.
Shkëputja e kontratës, sipas zyrtarëve të Ministrisë, u bë shkaku i vonesave në punime. Por, në kompani fajin për vonesa ia kanë hedhur Ministrisë, duke thënë se ajo është vonuar me shpronësime.
Më mirë nuk qëndrojnë as projektet e tjera kapitale të kësaj ministrie.
Bazuar në raportin financiar janar-shtator të publikuar nga Ministria e Financave, nga 257 projekte të parapara për këtë vit, 169 janë me 0 për qind të realizimit apo vetëm 31 për qind të shpenzimit të mjeteve.
Me buxhetin për vitin 2023 kjo ministri ka në dispozicion mbi 215 milionë euro për investime kapitale, por vetëm 68.4 milionë janë shpenzuar deri në shtator.
Krahas shpenzimeve janë zotuar edhe 75.6 milionë euro e që të dyja së bashku arrijnë shumën prej 144 milionë eurosh. Nëse mjetet e tjera nuk shpenzohen, ato do të shkojnë në suficit.
E, për rrugën Podujevë-Prishtinë gjysma e buxhetit është shpenzuar. Për këtë projekt janë paraparë 12 milionë euro, ndërsa për 9 muaj janë shpenzuar 6 milionë.
Ngecje pati edhe në realizimin e projekteve për rehabilitimin e rrugëve rajonale. Nga 15 milionë euro, për to u shpenzuan 2.4 milionë euro.
Po ashtu vetëm 25 për qind e mjeteve janë shpenzuar për projektin e rehabilitimit të linjës hekurudhore Fushë-Kosovë-Hani i Elezit. Për të janë paraparë 16 milionë euro, kurse janë shpenzuar 5.
Një nga projektet madhore është edhe rruga nacionale Prishtinë-Gjilan-Konqul, por për të u shpenzuan vetëm 7.4 milionë euro nga 23 milionë sa janë alokuar me buxhetin e këtij viti.
Ngecje pati edhe në rrugën Dollc-Gjakovë. Ani se për të u alokuan 8.5 milionë euro në fillim të vitit, vetëm 1.1 milionë u shpenzuan, porse 7 milionë të tjera janë të zotuara.
Bazuar në raportin nëntëmujor të shpenzimeve, përqindja më e madhe e realizimit është te shpronësimet, e që është përfshirë te pjesa e investimeve kapitale. Për to janë shpenzuar 86 për qind të mjeteve nga afro 28 milionë euro të ndara.