Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, ka thënë se terroristi dhe ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, ka kërcënuar me vrasjen e liderëve të partive politike në vend nëse policia ia prek restorantin dhe banesën në veri të Kosovës.
Sipas Halitit, kërcënimi i është dërguar me mesazh Policisë së Kosovës, ku sipas tij, Radoiçiqi ka thënë se “unë do të vrasë njerëz nëpër Kosovë”.
“Dhe, këta janë frikësuar shumë dhe kanë vendosur roje tek drejtuesit politikë. Është një mesazh me telefon që e ka dërguar Radoiçiqi dikujt për t’ia përcjellë policisë. Ndoshta do të duhej ta refuzonin të dy mbrojtjen e policisë. Ata janë të dy të sigurt në Kosovë dhe Radoiçiqi lë të vjen nëse ka guxim dhe lë ta vret kë të do”, tha Haliti për RTV21.
Kujtojmë se ditë më parë, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka marrë në mbrojtje liderin e PDK-së, Memli Krasniqi dhe atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku.