Ministri i Ministrisë së Infrastrukturës, Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Liburn Aliu ka thënë se ka kërkuar të merren masa disiplinore ndaj Nexhat Krasniqit, ish-shefit të Prokurimit në këtë ministri, i cili u sanksionua nga ShBA.
“Përmes zv. Sekretarit të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, dje rreth orës 13:00, kemi dorëzuar tek Komisioni Disiplinor i Ministrisë, kërkesën për marrjen e masave disiplinore ndaj nëpunësit civil, Nexhat Krasniqi”, ka shkruar Krasniqi.
Departamenti amerikan i Shtetit ka bërë të ditur më 3 nëntor se ka vendosur në listën e sanksioneve Nexhat Krasniqin, ish-drejtorin e Departamentit të Prokurimit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, për shkak të përfshirjes në korrupsion të madh.
Sipas njoftimit, atij do t’i ndalohet hyrja në SHBA.
“Si zyrtar publik përgjegjës për mbikëqyrjen e kontratave të prokurimit, Krasniqi ka abuzuar me postin e tij publik duke pranuar ryshfet në këmbim të dhënies së kontratës për lejimin e ndërtimit të parkut industrial në komunën e Drenasit nga kompania Eltoni”, u tha në njoftim.
Sipas DASH-it, veprimet e sotme të SHBA-së dëshmojnë se Uashingtoni qëndron me ata në Kosovë që kërkojnë përgjegjësi nga zyrtarët e korruptuar publikë.
“Ky vendim riafrimon përkushtimin e SHBA-së për luftimin e korrupsionit që dëmton interesat publike, pengon prosperitetin ekonomik të shteteve dhe zvogëlon aftësitë e qeverive për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive nevojave të shtetasve të tyre”.
Krasniqi pas vendimit të Departamentit të Shtetit të ShBA-së për sanksionim është pezulluar nga nga pozita e Shefit të Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës.
Nexhat Krasniqi,ka reaguar pas kritikave të shumta kur u emërua përkohësisht si drejtor i Departamentit të Infrastrukturës Rrugore në të njëjtën ministri.
Krasniqi thotë se në Kosovë nuk është dënuar asnjëherë për korrupsion apo marrje të ryshfetit.