Udhëheqësi i Hamasit tha të martën se ishin afër armëpushimit me Izraelin, teksa kryeministri izraelit tha se shpresonte për një lajm të mirë së shpejti për pengjet.
Nëse arrihet marrëveshja për pengjet, kjo do të ishte pauza e parë mes Izraelit dhe Hamasit dhe lirimi i parë masiv i pengjeve të mbajtura nga të dyja palët, raporton Reuters, përcjell Gazeta Insajderi.
Udhëheqësi i Hamasit, Ismail Haniyeh tha se zyrtarët e grupit ishin “afër arritjes së një marrëveshjeje armëpushimi” me Izraelin dhe grupi i kishte dhënë përgjigjen e tij të fundit ndërmjetësuesve të Katarit.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se ka përparim në negociata.
“Ne po bëjmë përparim. Unë mendoj se nuk ia vlen të thuhet shumë, as në këtë moment, por shpresoj se së shpejti do të ketë lajme të mira”, deklaroi Netanyahu.
Presidenti i SHBA Joe Biden u tha gazetarëve se një marrëveshje për lirimin e disa prej më shumë se 200 pengjeve të mbajtura nga Hamasi ishte shumë afër.
“Ekipi im është në rajon duke lëvizur midis kryeqyteteve. Tani jemi shumë afër, shumë afër, për të sjellë disa prej këtyre pengjeve në shtëpi”, tha ai.
Menjëherë pas kësaj, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Matthew Miller tha se marrëveshja ishte afër, ndonëse jo përfundimtare.
Një zyrtar i Hamasit i tha mediumit Al Jazeera më herët se negociatat ishin të përqendruara në atë se sa do të zgjaste armëpushimi, marrëveshjet për dërgimin e ndihmave në Gaza dhe detajet e shkëmbimit të robërve. Të dyja palët do të lironin gratë dhe fëmijët dhe detajet do të njoftoheshin nga Katari, i cili është duke ndërmjetësuar në negociata.