Mosmarrëveshjet për motive të ndryshme, e që shpeshherë dalin të jenë banale bëhen mollë sherri e kërcënimeve e përleshjeve të ndryshme mes të rinjve në vendin tonë. Për pasojë, konfliktet jo rrallëherë eskalojnë edhe në kërcënime serioze e rrahje brutale, për çka nevojitet ndërhyja e Policisë.
Për një rast të tillë që ka ndodhur dje pasdite në rrugën ‘Agim Ramadani’ në Prishtinë, Prokuroria ka nisur hetimet.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se një 42-vjeçar ka kërkuar ndihmën e Policisë, pasi ka raportuar se një person e ka kanosur me thikë.
Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë marrë veprimet hetimore dhe kanë arritur që ta arrestojnë të dyshuarin.
20-vjeçari është shoqëruar në stacion policor dhe është intervistuar nga organet e hetuesisë.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Kanosje’.