Një person është arrestuar, pasi i njëjti dyshohet se dje ka kërcënuar stafin e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale.
Rastin e ka konfirmuar kryeinspektori i KPMM-së, Naim Sejdiu, i cili ka bërë të ditur se i dyshuari ka kërcënuar me armë zjarri, gjë që ka ngjallur frikë dhe shqetësim te stafi.
Ndërsa, Policia tha se në vendin e ngjarjes është gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me karikator dhe 8 fishekë.
I dyshuari është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje.
“POSEDIM I PAAUTORIZUAR I ARMËS & SH. RR. PËRGJITHSHËM – Rr. Armend Daci, Prishtinë 21.11.2023 – 15:20. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti pasi ka ekspozuar një armë-pistoletë dhe ka kryer veprën e lartcekur. Njësitet policore në vendin e ngjarjes gjatë kontrollit te i dyshuari kanë gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me karikator dhe 8-fishekë. Pas intervistimit me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.”
Detaje tjera lidhur me rastin, pritet të bëhen të ditura në një konferencë të menaxhmentit të KPMM-së.