Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, ka folur sërish për rastin Astrit Deharit, ku thotë se Qeveria e Albin Kurtit është duke manipuluar me këtë rast.
Molliqaj ka përmendur një person që thotë ta ketë takuar në burgun e Prizrenit në vitin 2016 dhe bëhet fjalë për Luz Allakaj.
Fillimisht, Molliqaj tha se nuk merr përgjegjësinë për veprimet e personit në fjalë, por thotë se Qeveria po e keqpërdor emrin e tij duke pretenduar se “ai ishte në dhomë me Deharin”, e më pas i “është falur një pjesë e dënimit nga presidenti i atëhershëm Hashim Thaçi”.
Sipas Molliqajt, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu “është duke gënjyer”.
”Është një i burgosur që unë nuk marrë përgjegjësi për veprat që ka bërë, është Luz Allakaj, të cilin e njoh sepse kam qëndru burgun e Prizrenit një muaj me të vitin 2016. Ka rrejt ministrja e drejtësisë, një kësi rasti është dashur me shkarku. Ajo thotë të gjithë ata që kanë qenë në dhomë me Astrit Deharin, ose janë vdekur më vonë, ose janë falur nga presidenti Hashim Thaçi”, ka deklaruar Molliqaj.
“Luz Allakaj nuk ka qenë në asnjë ditë të vetme në burg me Astrit Deharin. Në shërbimin korrektues janë të gjitha evidencat kush me kë është në dhomë. Ministrja e Drejtësisë për me rrit konspiracionin në shoqëri ju ka lshu në qaf një personi që ka qenë në krahun e njëjtë me Astrit Deharin, thotë ka qenë në dhomë për shakk se ai mos me dëshmu sipas saj presidenti Thaçi ia ka falur një pjesë të dënimit. Shiko çfarë manipulimi bën”.
“Po rrejnë me qëllim ky është problemi. Kur është dalë raporti tregohet në lëndë kush ka qenë në dhomë. Por atyre po iu duhet kështu, që filani ka vdekur në burg, që ka qenë dhomë me Astrit Deharin, filani tjetër është falur nga Hashim Thaçi”, ka thënë Molliqaj në Pressing.