Futbollisti shqiptar Jasir Asani ka treguar se si u bë pjesë e Kombëtares dhe emocionet që ka përjetuar në ndeshjet e fundit për t’u futur në Europianin 2024.
Asani për ndeshjen e fundit me Ishujt Faraoe shprehet se nuk e priste askush që do dilnin 0-0, por është i lumtur që arritën të hynin në Evropian.
Ai tha se për këtë arritje ia lë meritën trajnerit të Kombëtares, brazilianit Sylvinho, ku sipas tij ai ka sjellë një frymë të re në skuadër dhe është një motiv për të gjithë lojtarët.
“Nuk e paramendoi kush se do dilnim 0-0. Jam njeriu më i lumtur sepse me 7-8 ndeshje kam shkuar në Europian. Është merita e Sylvinhos, ka sjellë një frymë aq të mirë që se kisha parë asnjëherë, e ka bashkuar stafin, çdo gjë e ka bërë një grup. E kam pritur ftesën që në 2017 ftesën për të luajtur me Kombëtaren, që kur isha tek Partizanti. 7-8 vite kam pritur. Një ditë që do nisesha për në Rumani më telefonuan dhe u nisa direkt për në Shqipëri. Unë njoh shumë lojtarë dhe më pyesin për emocionet që të jep Kombëtarja, nuk mund ta përshkruaj që kur fillon ndeshja nxehja”, u shpreh Asani.
Asani ka vendosur plisin në kokë pasi bëri golin e parë ndaj Çekisë, duke rrëfyer emocionet e këtij momenti.
“Ndeshja ishte shumë e vështirë dhe kur erdhi momenti që mora topin, e dëgjova nga tifozët “gjuaj, gjuaj”, mua mishi kokrra.“
UEFA ka zgjedhur si golin më të bukur, golin e Jasir Asanit në duelin ndaj Moldavisë, ku kombëtarja shqiptare fitoi 2-0.
I pyetur për këtë arritje, Asani shprehet: Unë jam i lumtur sepse kur bën gol me Kombëtaren e shef gjithë bota, me ekipin të shohin disa shtete, është emocion ndryshe kur shënon gol me Kombëtaren.
“Kemi qenë me këmbë në tokë të gjithë, kemi pritur të gjithë për të shkuar në Gjermani. Emocionet nuk mund t’i menaxhosh, ndeshja me Moldavinë ishte emocion i madh. Skuadra ishte e mirë, ne e kemi pasur në Air Albania që deri në minutën e 60-të ishte zor të shënoje gol.“
Sa i përket fillimeve të tij në futboll, Asani shprehet se i ati ka luajtur futboll dhe kur e ka parë të luajë në lagje, e ka kuptuar se ka talent dhe kështu e ka çuar në stërvitje.
“Babi ka luajtur futboll dhe 7-vjeç fillova të luaj në lagje, babi më ka parë që kam talent dhe isha tek shkolla e Vardarit, por nuk pranonin lojtarë të tjerë, fillova vetëm stërvitje, por trajneri më pëlqeu dhe më tha që ti do rrish. Unë ëndërr e kam pasur gjithmonë Kombëtaren”.
Në lidhje me eksperiencës së tij në Korenë e Jugut si futbollist, Jasir Asani shprehet se ka qenë tepër e vështirë.
“3-4 muaj e parë shumë e vështirtë, gjuha, ushqimi, futbolli, nuk je në Europë, njerëzit ishin shumë ndryshe. Ata janë të lumtur dhe nëse humbi ndeshjen, qeshin, mua më ikën mendja se ne shqiptarët jemi shumë nervozë. Ushqimi korean ishte shumë i keq”, tha Asani.
Në fund të intervistës, Asani e ka mbyllur me një mesazh të bukur për të gjithë: Me këtë grup do bëjmë gjëra të mëdha në Gjermani dhe do i bëjmë krenar tifozët!