Është rritur numri i përfituesve nga skema për familjet me fëmijë me aftësi të kufizuara. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në muajin tetor të vitit 2023, nga skema për mbështetje materiale familjeve që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara, kanë përfituar 3 mijë e 333 familje, ku krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak që ishte 2 748 familje, vërehet një rritje prej 21,4%.
Ndërsa në muajin tetor 2023, krahasuar me muajin tetor 2022, kishte rënie të numrit të përfituesve nga skema për pensionet invalidore (-18,3%); skema për pensionet e Trepçës (-18,2%); skema e ndihmës sociale (-13,4%) skema për pensionet familjare (-10,2%); skema për familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës (-1,6%); skema e kompensimeve për personat e verbër (-0,7%).
Në muajin tetor 2023, krahasuar me muajin tetor 2022 kishte rritje të numrit të përfituesve nga: skema për mbështetje materiale familjeve që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara (21,3%); skema për pensionet e personave paraplegjik dhe tetraplegjik (13,0%); skema e pensioneve për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) (10,3%); skema e pensioneve për personat me aftësi të kufizuara (6,3%); skema e kompensimit për punëtorët e arsimit që punuan gjatë vitit shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99 (5,3%); skema e pensioneve bazike të moshës (4,8%); skema e pensioneve të Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK) (3,0%); skema e pensioneve kontribut-paguese të moshës (0,7%); skema për veteranët e luftës (0,1%).