Nga 2028-ta Qeveria synon transport me anije nëpër lumenjtë e Kosovës

Nga 2028-ta Qeveria synon transport me anije nëpër lumenjtë e Kosovës

Mjete që transportojnë mallra e njerëz parashihet të lundrojnë edhe nëpër lumenjtë e Kosovës, në të ardhmen.

Këtë synim e ka qeveria e cila madje aspiron ta realizojë këtë brenda katër vjetëve.

Diçka e tillë është theksuar në Strategjinë e Sistemit Inteligjent të Transportit 2024-2030, të hartuar nga Ministria e Infrastrukturës, ku thuhet se për dy vjet, rrugët ujore të brendshme do të njihen edhe me ligj. Ndërsa shton se për t’u zhvilluar lundrimi, duhet të ketë ndërhyrje ligjore, organizative dhe teknike.

Por tiparet e lumenjve vendorë, e bëjnë këtë lloj transporti të pamundur, sipas gjeografit Faruk Foniqi.

Kurse eksperti i komunikacionit, Nol Dedaj, dyshon se kjo strategji është marrë nga Kroacia, që e ka lumin Danub, pa e kontekstualizuar sipas kushteve të Kosovës.

Ky thotë se në këtë drejtim mund të llogariten vetëm aktivitetet e lehta, me motive turistike a sportive, kurse ato të rëndat të fokusohen në llojet ekzistuese të transportit rrugor, hekurudhor e ajror.

Sipas gjeografit Foniqi, lundrimi i mallrave e njerëzve në vend, mund të bëhet veç me investime gjigante, si thellimi dhe zgjerimi i lumenjve. Mirëpo sërish rezulton e vështirë të bëhet për katër vjet, siç thuhet në dokument.

Strategjia që është ende në konsultim publik, parasheh edhe themelimin e institucionit për mirëmbajtjen dhe përmirësimin e lundrimit në rrugët ujore në Kosovë.

Related Articles