Vjehrri i Liridona Murselit, e cila u vra të mërkurën mbrëma, Shaban Murseli, ka treguar një version të tij se si ka ndodhur ngjarja gjatë një grabitjeje të dyshuar që ndodhi në dalje të Prishtinës.
Ai tha se reja e tij kishte rezistuar ta dorëzojë çantën e saj ku kishte disa para dhe se s’ka mundur të ikë meqë është “ngatërruar pak” me rripin e sigurisë në veturë.
“Versioni më i saktë është që ka rezistu me dorëzu çantën e krahun, aty i ka pasë ca të holla, një shumë të konsiderueshme të të hollave. I ka gjuajt fëmijët prej kerrit edhe në gjuhën suedeze iu paska pasë thonë “ik”. Por, mesa duket është ngatërru pak edhe me rripin e sigurisë”.
Policia e Kosovës sapo ka njoftuar se janë arrestuar dy persona në Gjakovë si të dyshuar për vrasjen e Liridona Murselit.
Gazeta Express përmes burimeve të saj mëson se njëri prej tyre është bashkëshorti i saj Naim Murseli.
Sipas burimeve të gazetës, të dyshuarit janë të dyshuar për vrasje në bashkëpunim dhe inskenim të grabitjes.
Liridona Ademaj Murseli është varrosur sot në Cërmjan të Gjakovës.