Policia e Kosovës dhe zyrtarë të Qendrës për Punë Sociale janë larguar nga shtëpia e Naim Murselit, ish-bashkëshortit të Liridona Ademajt, kjo e fundit u vra të mërkurën.
Është raportuar se në shtëpi janë ndodhur edhe dy fëmijët e Naim Murselit dhe Liridonës së ndjerë.
Naim Murseli dhe personi me inicialet G.P., që dyshohet të jetë vrasësi i Liridona Ademajt u arrestuan mbrëmë nga policia, pak orë pas varrimit të të ndjerës.
Policia mbrëmë bastisi dy lokacione në Gjakovë, ku u bë e ditur se është konfiskuar arma me të cilën dyshohet se u krye krimi.
Ndërsa, vetëm pak orë pas arrestimit të Murselit dhe dorasit, policia arrestoi edhe personin e tretë me iniciale K.K., që dyshohet të jetë i përfshirë në ngjarjen tragjike.
Liridona Ademaj u vra tri ditë më parë në Prishtinë në makinë ku bashkë me të ishin fëmijët dhe burri i saj, Naim Murseli.