Prokuroria e Ferizajt konfirmon se ishin zhvilluar hetime rreth pretendimeve të familjes së Marigona Osmanit

Prokuroria e Ferizajt konfirmon se ishin zhvilluar hetime rreth pretendimeve të familjes së Marigona Osmanit

Për më shumë se 1 vit, Prokuroria e Ferizajt asnjëherë nuk konfirmoi nëse Dardan Krivaça nga burgu kërcënoi nënën e Marigona Osmanit.

Në gusht të këtij viti, Dardan Krivaça u dënua me burgim të përjetshëm si i akuzuar për vrasjen e 18-vjeçares Marigona Osmani, trupin e të cilës e kishte dërguar pa shenja jetë në Spitalin e Ferizajt, më 22 gusht të vitit 2021.

Ai fillimisht ishte arrestuar tri ditë pasi dyshohej se kishte kryer krimin e rëndë dhe ishte në arrati.

Gjatë gjithë kohës, që nga arrestimi e deri te dënimi me burg të përjetshëm, Dardan Krivaça qëndroi në burg.

Ndërsa babai i Marigona Osmanit, Muhabi Osmani, mbrëmë në emisionin “Kallxo Përnime” rrëfeu se gjatë vitit të kaluar kishte pranuar një mesazh kërcënues nga Krivaça përmes rrjeteve sociale.

Osmani tregoi se bashkëshortja e tij u kërcënua përmes mesazheve në telefon.

“Kërcënime ka pasur ndaj bashkëshortes, me anë të SMS-ve. Ka thënë që edhe këtë vajzën të madhën që e kemi edhe këtë (do t’ia bëj njësoj). E kemi raportu në Polici, tash janë duke u marrë ata me këtë rast”- deklaroi Osmani në “Kallxo Përnime”.

Që nga koha kur është raportuar ky kërcënim e deri më sot, asnjëherë nuk është konfirmuar nga organet e rendit dhe hetuesisë nëse ishte kërcënimi nga Krivaça që në atë kohë ishte në paraburgim.

Prokuroria e Ferizajt ka konfirmuar se rasti është hetuar por se nuk është zbuluar se kush qëndroi pas këtij mesazhi kërcënues.

Prokuroria thotë se më 22 korrik të vitit 2022 nëna e Marigona Osmanit kishte paraqitur kërcënimin në Polici. Kërcënimi kishte ardhur përmes rrjetit social “Facebook”, nga një profil në emër të Dardan Krivaçës.

Prokuroria e Ferizajt kishte pranuar kallëzim penal për veprën penale të kërcënimit dhe kishte lëshuar urdhëresë për të hetuar dhe identifikuar mesazhin nga ishte dërguar.

Për këtë çështje ishte angazhuar sektori i hetimeve të krimeve kibernetike. Veprimet që kishte kërkuar Prokuroria nga Policia ishin pasi që rasti konsiderohej vepër penale dhe se nëna e Marigona Osmanit ishte ndjerë e kërcënuar dhe e frikësuar, e për shkak të situatës ishte ndjerë edhe e pasigurt.

Por ani pse u tentua që në këtë drejtim të zbardhet diçka, deri më sot asnjëherë nuk u zbulua nga erdhi mesazhi kërcënues te nëna e Marigona Osmanit.

Kjo pasi që në një përgjigje që kishte marrë Policia e Kosovës nga kompania “Facebook” thuhej se llogaria ishte mbyllur menjëherë.

Related Articles